
Kryetari i bashkisë së Tepelenës akuzohet se e ka kthyer njësinë vendore që qeveris prej dy mandatesh në një “hambar” të prodhimit të drogës e strehë për Klemend Balilin. Praktikisht, njerëz me “njollë”, të zgjedhur si me dorë nga Rama, janë vënë dhe në listat e kandidatëve për kryetar bashkie, mes të cilëve spikat Tërmet Peçi, që është në kërkim të mandatit të tretë më 30 qershor. Tërmeti plotëson të gjitha “kushtet” që kërkon Rama për të qënë kryetar bashkie: është i dënuar, hajdut, falsifikator, trafikant femrash dhe droge, bashkëpunon me kriminelët e trafikantët, punon vetëm me hajdutë dhe të dënuar, abuzon me paratë e qytetarëve. Ç’duhet më shumë për ta “çimentuar” kryetar të bashkisë së Tepelenës për një mandat të tretë
Të kandidosh apo të rikandidosh për postin e kryetarit të bashkisë, në një vend normal duhet të plotësosh kritere të forta dhe pastërtia e figurës duhet të jetë parësore.
Por në Shqipëri, të jesh njeri i drejtë, i painkriminuar, i papërzier në trafik droge dhe afera korruptive, është e barabartë me etiketimin si i paaftë, i pa qënë, madje dhe budalla.
Një konkluzion i tillë del, kur sheh përbërjen e kupolës politike dhe të strukturave partiake, e mbushur fund e krye me njerëz të inkriminuar, trafikantë dhe abuzues me paratë e shtetit, të cilët kanë zhvendosur dhe kaluar në minorancë të gjithë ata që respektojnë ligjin dhe të rregullin.
Praktikisht, njerëz me “njollë”, të zgjedhur si me dorë nga Rama, janë vënë dhe në listat e kandidatëve për kryetar bashkie, mes të cilëve spikat kreu i bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, që është në kërkim të mandatit të tretë më 30 qershor.
Një ditë më parë evidentuam faktin se Tërmeti ka qënë i dënuar në vitin 2004 për falsifikim, ndërkohë që ndaj tij ka akuza për trafik femrash. Madje shumë prej tyre punojnë akoma për hesap të tij, të menaxhuar nga tutorë që kanë “selinë” në bashkinë Tepelenë.
Por Tërmet Peçi nuk është mjaftuar vetëm me falsifikime me qëllime përfitimi apo me trafik femrash, për të shtuar të ardhurat marramendëse.
Kryetari i bashkisë së Tepelenës akuzohet se e ka kthyer njësinë vendore që qeveris prej dy mandatesh në një “hambar” të prodhimit të drogës dhe strehë për Klemend Balilin.
Ndonëse sipas ligjit krerët e njësive vendore, përfshirë dhe kryepleqtë janë fajtorë për kultivimin e hashashit në territorin që kanë nën administrim, Tërmet Peçi i cili është kryetar bashkie që nga viti 2011, e transformoi Tepelenën në një plantacion hashashi.
Dhe një akuzë të tillë nuk e ka artikuluar as opozita dhe as media, por raporti sekret i italianëve, të cilët pasi e kanë monitoruar nga toka e ajri, e kanë vënë Tepelenën në qendër të kultivimit të canabis sativa, ku Tërmeti ka rolin e vet.
Por nuk janë të rastësishme akuzat për kultivim dhe trafik droge në Tepelenë, ku kryebashkiaku nuk është “dorë-jashtë”, pasi s’ka si të justifikohet pasuria e tij marramendëse, thjeshtë dhe me një pagë shteti, në një bashki të vogël.
Ka qënë ish Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani ai që nga podiumi i partisë numri dy i të cilës ishte, deklaroi zyrtarisht në emër të PD se kreu i bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi ka strehuar të shumëkërkuarin Klement Balili, i cili tashmë është në pranga.
Një akuzë që u kalua në heshtje nga ana e e Tërmet Peçit, i cili nuk dha asnjë përgjigje të qenësishme për të bindur qytetarët se nuk kishte strehuar dhe bashkëpunuar supertrafikantin e drogës, Balili.
Ndërkohë që dhe Prokuroria nuk hetoi për asnjë moment këtë lidhje, duke na bërë që të shpresojmë se vetë Klemend Balili ta përmendë te drejtësia e re strehimin tek Tërmet Peçi.
Por Tërmetit nuk i ndahet shpirti nga të dënuarit dhe njerëzit e krimit, pasi dhe miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët i zgjedh pikërisht nga ky kontigjent njerëzish.
Kreu i bashkisë Tepelenë, edhe zëdhënësin e bashkisë, zërin e tij zyrtar në komunikimin me publikun e mediat, ka bërë çka bërë dhe e ka zgjedhur nga radhët e hajdutëve të kësaj zone.
Aleksandër Toti, ndonëse i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë për vjedhje është punësuar nga Tërmeti në Bashki. Gjykata e Tepelenës e ka dënuar zëdhënësin e Tërmetit me 4 muaj burg për vjedhje, me vendimin e datës 7 korrik 2014.
Por akuza ka dhe për vëllain e tij, Vojo Peçi që ka qënë shef i komisariatit të policisë në Kuçovë, si njeri i korruptuar dhe me sjellje të vrazhdë me qytetarët. Apo nipi i tij Dritan Rrapaj, që nga makina shkëmbeu zjarr me pistoletë me Orjol Memushin, nipin e ish ministrit të Arsimit Luan Memushi. S’ka faj nipi, ka dajon njeri të afërt me Ramën.
Pra Tërmeti i plotëson të gjitha “kushtet” që kërkon Rama për të qënë kryetar bashkie: është i dënuar, hajdut, falsifikator, trafikant femrash dhe droge, bashkëpunon me kriminelët dhe trafikantët, punon vetëm me hajdutë dhe të dënuar, abuzon me paratë e qytetarëve.
Ç’duhet më shumë për ta “çimentuar” kryetar të bashkisë së Tepelenës për një mandat të tretë./Pamfleti