Aktualitet 4 Korrik 2018, 20:56

Tërmetet/ Rreziku nuk ka ikur, çfarë duhet të bëni kur ju dridhet toka poshtë këmbëve

Shkruar nga Pamfleti
Tërmetet/ Rreziku nuk ka ikur, çfarë duhet të bëni

Informacioni mund t’iu shpëtojë jetën. Ja disa rregulla kyç të Mbrojtjes Civile për të mësuar se çfarë duhet bërë në fillim, gjatë dhe pas lëkundjeve sizmike pë të mos qenë të papërgatitur

Mos vendosni objekte të rënda në rafte

Nëse jetoni në një zonë me aktivitet të lartë fizik, është mirë që objekte të rënda të mos i vendosni nëpër rafte, apo dollape, për shkak se mund të bien gjatë lëkundjeë dhe bëhen mjaft të rrezikshme. Gjithashtu mobiljet e rënda duhet të fiksohen në mur pasi mund tu bien sipër.

Kutia e ndihmës së shpejtë

Është shumë e rëndësishme të mbani në shtëpi një kuti të ndihmës së shpejtë ku të keni vendosur dhe një elektrik dore, pasi gjatë tërmeteve të fuqishëm ka mungesë të energjisë elektrike. Të gjithë anëtarët e familjes duhet të dinë se ku ndodhen këto objekte.

Qëndroni poshtë dyerve

Gjatë një tërmeti nëse ndodheni në një vend të mbyllur qëndroni poshtë dyerve dhe mundësisht afër një kolone betoni. Edhe trarët e çative ju mbrojnë nga një shembje e mundshme.

Futuni poshtë tavolinës

Gjatë tërmetit është e rrezikshme të qëndroni pranë objekteve që lëvizin, pasi mund tu bien sipër, kështu që mund të futeni dhe poshtë tavolinës.

Mos vraponi drejt shkallëve, apo ashensorit

Shkallët në fakt janë pjesa më e dobët e një ndërtese por nga frika njerëzit tentojnë të dalin menjëherë nga banesa. Madje edhe ashensori nuk duhet të përdoret pasi bllokohet.

Largohuni nga objektet në ndërtim

Nëse gjatë kohës së tërmetit ndodheni jashtë, mos qëndroni afër objekteve në ndërtim, apo dhe linjave elektrike, pasi mund të bien dhe tu zënë poshtë.

Qëndroni larg liqeneve, plazheve dhe urave
Gjatë tërmetit dhe minutat vijuese largohuni nga brigjet e liqeneve apo plazhet, pasi mund të ketë një rritje të intensitetit të valëve. Dhe nëse jeni në automjet shmangni qëndrimin në ura apo rrugë të paqëndrueshme.

Mos përdorni telefonin apo makinën

Mundohuni ti shmangni këto të dyja, për ti lënë hapësirë emergjencave të lajmërohen dhe të lëvizin.

Mos jini kureshtarë duke u endur vërdallë

Qëndroni në çadrat e ngritura nga grupet e emergjencave dhe jo duke u endur vërdallë për të shmangur ndonjë dëmtim të mundshëm. Pra, mos jini kurioz.

Aktualitet