Bota 9 Shkurt 2023, 11:34

Tërmeti 7.8 ballë, mbërrijnë ndihmat e para nga OKB në Siri

Shkruar nga Pamfleti
Tërmeti 7.8 ballë, mbërrijnë ndihmat e para nga OKB në

Kanë mbërritur ndihmat e para humanitare nga OKB-ja,  që nga tërmeti shkatërres me magnitudë 7.8 ballë në veriperëndim të Sirisë, shkruan  Al Jazeera.

Gjashtë kamionë kanë arritur në Bab al-Hawa, i vetmi vendkalim kufitar i autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për dërgimin e ndihmave.

Kështu ka bërë me dije një zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Fluksi i ndihmave humanitare ishte ndërprerë përkohësisht që nga tërmeti i parë për shkak të problemeve logjistike dhe dëmtimit të rrugës që lidh Gaziantep-in me qendrën e transportit të OKB-së në Hatay.

Referuar OKB-së, janë identifikuar dy rrugë alternative për të arritur në qendër nga Gaziantep-i, nëpërmjet Kilis-Kirikhan dhe nga Mersin nëpërmjet Adana-Kirikhan.

Në vitin 2022, rreth 600 kamionë të ngarkuar me ndihma kaluan nga Turqia çdo muaj, duke arritur mesatarisht 2.6 milionë sirianë.

Ndërkohë, nevojat humanitare janë rritur si pasojë e tërmetit, i cili ka lënë të paktën 1 mijë e 730 të vdekur dhe ka shkatërruar qindra ndërtesa në zonën e kontrolluar nga opozita.

Agjencia e OKB-së ka bërë me dije se të paktën 648 pasgoditje janë raportuar, duke komplikuar operacionet e shpëtimit dhe dërgimin e ndihmave.

Sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), numri i përgjithshëm i personelit të kërkim-shpëtimit në rajon është 79 mijë e 110.

 

Bota OKB Siri Termet