Bota 8 Shkurt 2023, 17:50

Tërmeti/ Arrin në 12 mijë numri i viktimave, të mbijetuarit në mëshirë të fatit; Erdogan nis arrestimet për postimet në Twitter

Shkruar nga Pamfleti

Shifrat e tërmetit tragjik në Turqi kanë kapur nivele të frikshme. Sipas të dhënave më të fundit kanë humbur jetën deri më tani 12 mijë persona, ndërkohë që nën rrënoja ka një numër akoma të madh njerëzish. Dëmet më të mëdha janë në Turqi, ndërkohë që mijëra viktima janë dhe në territorin sirian.

Ata që mbijetuan janë duke bërë gjithçka për të nxjerrë të afërmit e tyre, pasi grupet e shpëtimit nuk duken askund. Sipas “Sky News”, njerëzit në qytet po përdorin copa rrënojash dhe çfarëdo që u vjen në dorë, për të arritur tek ata që janë nën ndërtesat e rrënuara.

Një grua u dëgjua duke bërtitur: “A mund të më dëgjojë dikush?”. Një burrë i tha gazetares se nuk ka ardhur asnjë mbështetje nga qeveria dhe grupet e shpëtimit nuk kanë energji për pajisjet e tyre.

“Ne thjesht po vdesim këtu”, tha një burrë.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Gazetarja e “SkyNews” në Turqi ka përshkruar se si gratë qëndrojnë grumbull duke qarë për fëmijët që mund të mos i shohin kurrë më. “Bëhu i fortë”, i thotë një grua dikujt të bllokuar. “Bëhu i fortë, ne jemi këtu”, shton ajo.

Provinca, e cila përqafon kufirin sirian, duket të jetë një nga më të goditurat.  Ajo është shtëpia e një numri të madh refugjatësh sirianë që ikën nga lufta për të siguruar jetën aty. Kryebashkiaku i Hatay është nga partia kryesore opozitare, duke ngjallur dyshime se kjo mund të ketë ndikuar në ndihmën e kufizuar atje.

Megjithatë, presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha këtë pasdite se ekipe nga 18 vende janë në rajon për të ndihmuar këdo.

Nga ana tjetër 18 persona u arrestuan pas postimeve në platformat e mediave sociale në lidhje me tërmetin në Turqi.

Forcat Policore Turke shkroi në Twitter se 202 llogari ku bëheshin postime provokuese për tërmetin u mbyllën. “Uebfaqet që donin të abuzonin me qytetarët tanë dashamirës u mbyllën”, njoftoi policia.

Bota tërmeti TURQI Viktima