Bota 8 Shkurt 2023, 07:33

Tërmeti në Turqi dhe Siri, shkon mbi 8 mijë numri i viktimave; qindra mijëra persona kërkojnë strehim

Shkruar nga Pamfleti
Tërmeti në Turqi dhe Siri, shkon mbi 8 mijë numri i viktimave;

Numri i viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë me 6 Shkurt ka kaluar mbi 8 mijë persona.

Bilanci i ri është hartuar në bazë të informacionit të shpërndarë nga burime zyrtare dhe mjekësore.

Deri tani numri i saktë i viktimave është 8,400, nga të cilët 2,400 në veri të Sirisë.

Por llogaritja nuk është aspak përfundimtare, sepse në të dyja vendet ka ende shumë njerëz të bllokuar nën rrënojat e mijëra ndërtesave që ranë për shkak të magnitudës 7.8 ballë të tërmetit.

Përditësimi 8 shkurt; 07: 40

-Në Turqi, rreth 3,000 ndërtesa janë shembur në shtatë provinca të ndryshme, duke prekur kryesisht qytetet Adana, Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Iskenderun dhe Adiyaman. Në Siri, vendet arkeologjike janë dëmtuar dhe në veçanti mbetjet e Aleppos, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s që nga viti 2018.

-Më shumë se 8,000 njerëz deri më tani janë nxjerrë nga mbeturinat në Turqi, tha nënkryetari turk, Fuat Oktay. Rreth 380,000 njerëz janë strehuar në strehimoret ose hotelet qeveritare, me të tjerët të grumbulluar në qendra tregtare, stadiume, xhami dhe qendra komunitare.

-Pasditen e së martës, Recep Tayyip Erdoğan shpalli një zonë fatkeqësie në 10 provincat e prekura nga tërmetet, duke vendosur një gjendje të jashtëzakonshme në rajon për tre muaj.

-Agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive tha se kishte 11,342 raporte për ndërtesa të shembura, nga të cilat 5,775 ishin konfirmuar. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës së Turqisë tha se gjatë natës 3,400 njerëz u strehuan në trenat që përdoreshin si strehim urgjent.

-Turqia ka vendosur më shumë se 24,400 personel kërkim-shpëtimi në zonën e tërmetit. Numri i personelit pritej të rritet, tha zyrtari i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive, Orhan Tatar.

-Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 goditi qytetin Gaziantep në orët e para të së hënës, i ndjekur nga një lëkundje me magnitudë 7.5 orë më vonë

Pas tërmetit që zgjati më shumë se dy minuta, Turqia është goditur edhe nga tërmete të tjera të fuqishme.

Bota #tërmeti TURQI