
U shtriu dorën e bashkëpunimit, PD mandaton Gazmend Bardhin për të negociuar me Berishën
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur këtë të martë në selinë blu, për të diskutuar në lidhje me reformën territoriale.
Megjithëse vetëm 16 deputetë të pranishëm, Alibeaj theksoi se PD-ja nuk është e ndarë për aq kohë sa e bashkon çështja shqiptare. Sipas kreut të grupit demokrat, reforma territoriale aktuale është dështim territorial, pasi “është shndërruar në reformë militanteske”.
Një reformë e frytshme për Alibeajn, duhet të ketë në qendër të saj individin dhe shërbimin që ai duhet të marrë si qytetar.
‘Dështimi spektakolar i reformës territoriale. Ajo që kemi qëllim kryesor është të jetë në qendër individi dhe shërbimi që ai duhet të marrë. Proces konsultimi i gjerë për të ribërë reformën territoriale, biem dakord të gjithë që është e dështuar. Fakti që është shndërruar në reformë militanteske’- tha Alibeaj.
Gjatë mbledhjes, Alibeaj ka deklaruar se këtë muaj do të evidentohen problematikat që lidhen me këtë reformë. Ndërsa, deri në fund të muajit korrik, do të ketë një propozim konkret për mënyrën sesi do të duhet të jetë harta e re territoriale e Shqipërisë. I pyetur se si do të merren vendimet për reformën për aq kohë sa PD është e përçarë, Alibeaj tha se: “Ne marrim pjesë se e kërkojnë shqiptarët, e kanë kërkuar prej kohësh. Ne s’jemi ndarë për çështjet që bashkojnë shqiptarët.”
Nesër në mesditë do të mbahet mbledhja e parë e Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale. Më herët, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se komisioni do të bëjë një analizë të ecurisë së deritanishme të ndarjes territoriale të vendit që u votua në korrik të 2014-s dhe hodhi idenë e organizimit të vendit në rajone.