Bota 1 Tetor 2022, 14:57

Thellohen tensionet greko-turke për ishullin e Qipros, Ankaraja sulmon SHBA-në: Ne nuk do rrimë duarkryq

Shkruar nga Pamfleti
Thellohen tensionet greko-turke për ishullin e Qipros, Ankaraja sulmon

Mevlut Cavusoglu

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë lidhur me ishullin e ndarë të Qipros po përshkallëzohen.

Ankaraja ka deklaruar se do të rrisë praninë ushtarake në ishull si përgjigje ndaj lëvizjes së Uashingtonit, për heqjen e embargos së armëve ndaj administratës greko-qipriote.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu kritikoi të premten qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Greqisë, duke deklaruar se ishin kthyer në një lodër të Athinës sa i dakon çështjes së Qipros.

Ai theksoi se ata që bëhen me Greqinë vetëm e vetëm për ta kënaqur atë nuk meritojnë të jenë miq të Turqisë.

“Ata që mbajnë anën e grekëve vetëm për t’iu bërë qejfin atyre nuk duhet të presin miqësi nga ne, sepse Turqia nuk do të përkulet para akteve të tilla. Turqia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në Qipro”, tha zoti Cavusoglu.

Por administrata amerikane ka shprehur mbështetjen për Greqinë edhe sa i takon përplasjes me Ankaranë për ishujt në detin Egje.

“Sovraniteti i Greqisë në këto ishuj nuk vihet në pikëpyetje”, deklaroi pak ditë më parë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

 Gjatë kësaj jave ai njoftoi se Turqia do të rrisë praninë e saj ushtarake në Qipro pasi Uashingtoni hoqi embargon e armëve ushtarake ndaj administratës qipriote greke.

Ky ishull i Mesdheut është i ndarë mes komuniteteve greke dhe turke qipriote, që nga viti 1974.

Tensionet turko-greke nuk janë një gjë e re. Në vitin 1996 të dy vendet shkuan në prag të luftës për një ishull të pabanuar. Ndërhyrja e SHBA-së parandaloi një konflikt të mundshëm.

Bota #Mevlut Cavusoglu akuza SHBA Greqia Qipro