
Në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi, sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua takimi përurues i kolanës “Thesar kombëtar” në 11 vëllime.
Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi përgëzoi shoqatën për veprimtarinë e saj të suksesshme atdhetare e kulturore dhe vlerësoi faktin që tashmë shqiptarët në Suedi kanë intelektualë, njerëz të ditur, shkrimtarë e studiues, që shkruajnë e botojnë vepra me cilësi. Kjo krijimtari është pjesë e trashëgimit dituror shqiptar.
“’Thesari’ juaj është dhe yni, prandaj e kemi mirëpritur këtë veprimtari dhe ky është vetëm fillimi. Ne synojmë organizimin e një veprimtarie të përbashkët me të gjitha shoqatat e krijuesve shqiptarë në mërgim.
Ju jetoni atje ku e keni ndërtuar jetën larg atdheut, por me atdheun me vete: me gjuhën, traditat, kulturën e paraardhësve. Shumë mirë që keni dëshmuar dinjitet dhe jeni pranuar e respektuar në vendin mikpritës. Jam i sigurt se ju u përcillni brezave të rinj, bashkë me kodin gjenetik, edhe ADN-në e trashëgimit kombëtar. Kjo është arsyeja që ne e çmojmë si një qëndrim shumë pozitiv mospërfshirjen në politika kalimtare të njëanshme.
Çështja kombëtare që ju e keni orientim themelor është e mjaftueshme si drejtim politik”, tha Skënder Gjinushi.
Gjithashtu mbajti fjalën e tij përshëndetëse edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi.
Ambasadori Durmishi përveç vlerave letrare dhe estetike të kolanës “Thesar kombëtar”, çmoi edhe përpjekjet për ruajtjen e gjuhës shqipe në mërgim. Ai tha se këto punë po memorizohen në një institucion në adresën e duhur që është Akademia e Shkencave në Tiranë.