Në vitin 1998, ishin amerikanët që ndaluan Arben Rakipin të arrestonte Berishën, pasi i trembeshin fuqisë së tij destabilizuese, në prag të luftës së Kosovës, kur i duhej Shqipëria stabël dhe me konsensus politik. Këtë e deklaroi ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo në një dalje të fundit televizive. Por këtë herë janë pikërisht amerikanët që jo vetëm nuk e pengojnë por po bëjnë thirrje që të hetohet personi i shpallur ‘non grata’ nga qeveria e tyre.
Një “rastësi” e çuditshme që nuk duhet të jetë e tillë. Në orën kur zyrtari i lartë i DASH Gabriel Escobar deklaroi nga “Zëri Amerikës” se duhen ndjekur penalisht ata që organizuan protestën e dhunshme të 8 janarit, Prokuroria e Tiranës vulosi shkresën për të marrë në pyetje Sali Berishën.
Në fakt, kërkesa e Prokurorisë për të marrë në pyetje Sali Berishën, nuk është një fillim hetimi ndaj tij, është thjesht një dëshmi, pasi një ditë më vonë do të thërrasin edhe Lulzim Bashën, për të dhënë edhe ai variantin e tij mbi protestën e 8 janarit.
Por, kjo përbën një zhvillim historik në Shqipëri, pasi politikani që ka dominuar politikën shqiptare për 30 vjet, edhe pse është përfshirë në ngjarje nga më të tmerrshmet në vend nuk ka shkelur asnjëherë derën e Prokurorisë.
Edhe një rast kur ka dëshmuar zyrtarisht për vrasjen e Azem Hajdarit, e ka bërë nëpërmjet një dëshmie me shkrim që ja ka dorëzuar një prokuroreje norvegjeze, e cila erdhi në Shqipëri, e paguar me paratë e amerikanëve, thjesht për të marrë këtë dëshmi dhe u largua.
Sali Berisha nuk ka pranuar asnjëherë që të shkojë në ndonjë organ hetimor, e këtë e ka bërë me arrogancë të madhe. Edhe në vitin 1998, kur Kryeprokurori i atëhershëm Arben Rakipi, kërkoi heqjen e imunitetit për grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998, gjë që e bëri Parlamenti, ai nuk e shkeli asnjëherë derën e Prokurorisë, edhe pse u thirr e u thirr vazhdimisht.
Qëllimi duket ka qenë i qartë, por edhe ka rezultuar një manovër e suksesshme. Pikërisht kjo kryeneçësi e Berishës për të mos shkuar në organin e akuzës, e ka kthyer mundësinë e hetimit ndaj këtij dinosauri të politikës shqiptare si një sipërmarrje të pamundur.
Edhe pse e pamundur nuk është e s’ka përse të jetë. Por pas paktit me Ilir Metën në vitin 2002, dy nga politikanët më të frikshëm në vend arritën e morën kontrollin e Prokurorisë së Përgjithshme, duke mbyllur rreptësisht mundësinë e hetimit të ndonjërit prej tyre.
Kësaj radhe, ata nuk e kontrollojnë SPAK-un dhe Prokurorinë, megjithatë kanë shumë njerëz të tyre në gjyqësor; nga shkalla e parë në Apel, gjë që u vu re që në çështjen e përplasjes me PD në Gjykatën e Tiranës.
Megjithatë, marrja në pyetje për çështjen e 8 janarit, është e para e tillë pas 20 vjetësh, që nga 14 shtatori 1998, kur edhe atëherë udhëhoqi një rebelim, veçse jo me vare e leva, por me tanke e mitrolozë 12.7.
Është një zhvillim i rëndësishëm, e duhet parë a do ta refuzojë Sali Berisha apo do ta thyejë për herë të parë këtë tabu. Gjasat janë të ndodhë kjo e dyta, pasi pozita e tij është më e rënda në të gjithë historinë.
Në vitin 1998, ishin amerikanët që ndaluan Arben Rakipin të arrestonte Berishën, pasi i trembeshin fuqisë së tij destabilizuese, në prag të luftës së Kosovës, kur i duhej Shqipëria stabël dhe me konsensus politik. Këtë e deklaroi Paskal Milo në një dalje të fundit televizive.
Por këtë herë janë pikërisht amerikanët që jo vetëm nuk e pengojnë por po bëjnë thirrje që të hetohet personi i shpallur ‘non grata’ nga qeveria e tyre.
Nensekretari Gabriel Eskobar ka përmendur ndjekjen penale të Berishës në dy çështje; atë të dhunës së 8 janarit si dhe atë të korrupsionit.
Kështu që sipas gjasave, thyerja e akullit do të shkaktojë realisht çarjen përfundimtare të ngricës së pandëshkueshmërisë. E në këtë rast, radhën e ka i dyti pas tij, që është trazuar shumë …/Pamfleti