Aktualitet 3 Maj 2019, 14:13

Thirrja e fortë e ish-zyrtares së lartë: Luftoni korrupsionin për të rifituar shpirtin e Europës

Shkruar nga Pamfleti
Thirrja e fortë e ish-zyrtares së lartë: Luftoni korrupsionin

Thirrja e fortë e ish-zyrtares së lartë: Luftoni korrupsionin për të rifituar shpirtin e Europës

Gjatë kohës që ishte në krye të Drejtorisë Kombëtare Anti-Korrupsion të Rumanisë midis vitit 2013 dhe 2018, Laura Codruţa Kovesi kryesoi qindra dënime të profilit të lartë dhe u bë e dashur për lëvizjen ndërkombëtare për transparencë. Në një vend që përpiqet të ndërtojë një sistem të drejtë të drejtësisë pas pranimit të tij në BE në vitin 2007, ajo spikati si një përkrahëse e vendosur e sundimit të ligjit.

Në korrik 2018, Kovesi u shkarkua nga detyra nga ministri i drejtësisë i Rumanisë, Tudorel Toader, me urdhër të kreut të Partisë Social Demokrate (PSD), Liviu Dragnea, të cilin Drejtoria Kombëtare e Anti-Korrupsionit e dënoi në vitin 2015 për marshtim gjatë fushatës zgjedhore. Ajo është tani kandidatja e miratuar nga Parlamenti Europian për të udhëhequr Prokurorinë e re Publike Europiane (EPPO), por Dragnea po bën gjithçka që mundet për ta diskredituar atë.

Edhe pse Dragnea e ka të ndaluar të mbajë ndonjë post, partia e tij drejton qeverinë e koalicionit të Rumanisë dhe një agjenci e krijuar nga PSD-ja e ka akuzuar Kovesin për korrupsion për të mos lejuar daljen e saj nga Rumania. Miqtë e Dragneas pohojnë se Kovesi e ka tejkaluar autoritetin e saj, gjë që është një tjetër mënyrë për të thënë se ajo ka qenë tepër efikase në ndjekjen e korrupsionit në klasën politike rumune.

Largimi i Kovesit nga Drejtoria Kombëtare e Anti-Korrupsionit zemëroi publikun rumun dhe 100,000 vetë nënshkruan një peticion që bën thirrje që ajo të rikthehet në postin që drejtonte më parë. Që nga largimi i saj, Drejtoria duket se ka pushuar së funksionuari dhe pozicioni ndërkombëtar i Rumanisë ka vuajtur për shkak të kësaj. Pavarësisht përpjekjeve më të mira të Kovesit, Rumania renditet tashmë midis vendeve më të korruptuara të BE-së në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2017 (pas Bullgarisë dhe Hungarisë) të Transparency International. Dhe tani, situata po përkeqësohet akoma më shumë. Duke shpërfillur paralajmërimet nga Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës, më shumë se 180 ligjvënës rumunë kanë mbështetur legjislacionin që do t’i mbronte politikanët nga akuzat për korrupsion.

E ardhmja e Rumanisë si një demokraci liberale e begatë tani mbetet në dorë të popullit të saj. Shpresojmë që sundimi i ligjit do të rivendoset dhe se vendi do të kthehet në rrugën e reformës. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse shtetasit rumunë i mbështesin ata që dalin kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Përgjigja nga pjesa tjetër e BE-së, e para dhe më e rëndësishmja, duhet të jetë që ata t’i bashkohen Parlamentit Europian duke mbështetur kandidaturën e Kovesit për të drejtuar EPPO-në, e cila do të fillojë punë afër fundit të vitit 2020. Siç janë gjërat, Këshilli Europian, aktualisht i drejtuar nga Rumania, ka mbështetur një kandidat tjetër. Përtej kësaj, Komisioni Europian duhet të bëjë më shumë sesa thjesht të kritikojë tërheqjen e qeverisë së udhëhequr nga PSD-ja përsa i përket sundimit të ligjit. Ndaj autoriteteve rumune duhet të ushtrohet presion i vërtetë.

Pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian që do të mbahen më vonë këtë muaj, do të formohet një Komision i ri nën udhëheqjen e një presidenti të ri. Një nga prioritetet e tij kryesore duhet të jetë krijimi i një pakti obligues që i angazhon të gjitha vendet anëtare dhe institucionet e BE-së të mbrojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Siç kanë treguar vitet e fundit, BE-ja ka nevojë për instrumente më të besueshme dhe efikase për të shqyrtuar shkeljet e vlerave të saj themelore dhe për të mbajtur përgjegjës shkelësit e tyre. Të gjitha grupimet kryesore të partive të BE-së tashmë janë zotuar të ndjekin një marrëveshje të re për zbatimin e parimeve të sanksionuara në traktatet themelore të bllokut. Pas zgjedhjeve, qytetarët europianë duhet të ushtrojnë presion ndaj përfaqësuesve që ata kanë zgjedhur për t’u siguruar që ata ta ndjekin këtë marrëveshje.

Për më tepër, Këshilli dhe Parlamenti Europian duhet të miratojnë një legjislacion që lejon pezullimin e subvencioneve të BE-së ndaj qeverive të vendeve anëtare që i përmbahen rregullave dhe standardeve të bllokut. Qeveritë që dëmtojnë sistematikisht sundimin e ligjit dhe shtypi i lirë nuk duhet të përfitojnë nga fondet e kohezionit që synojnë pikërisht qëllimin e kundërt.

Ky është një moment kritik për BE-në. Presidenca e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, kaosi i Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe rritja e populizmit në të gjitha demokracitë perëndimore kanë siguruar mbulim politik për politikanët e paskrupullt që këta të fundit të  nënvleftësojnë parimet e demokracisë liberale. Por projektligji për premtimet e çuditshme të bëra nga të ashtuquajturit demokratë iliberalë të Europës po afron.

Demokratët liberalë kanë një mundësi për të ndryshuar dëmet që kanë shkaktuar populistët, por ata duhet të veprojnë shpejt dhe në mënyrë të sigurt. Pro-europianët shpesh kategorizohen si përkrahës të status quo-së. Kjo duhet të ndryshojë. Me shtimin e politikanëve që përbuzin parimet demokratike dhe të drejtat e qytetarëve të tyre, demokratët liberalë duhet ta bëjnë të ditur se ata po ofrojnë instrumente të reja efektive për të siguruar llogaridhënien. Car i ri i anti-korrupsionit i BE-së është vetëm një instrument i tillë dhe Kovesi duket e sigurt se do ta bëjë EPPO-në një kampion të fuqishëm dhe dinamik të drejtësisë.

BE-ja dikur konsiderohej si një bastion i shpresës për ata që jetojnë nën tirani, despotizëm dhe kleptokraci. Është koha ta rimarrim përsëri atë mantel. Karriera e guximshme dhe shumë efektive e Kovesit në luftën e saj kundër korrupsionit në Rumani ka treguar se një person, me fuqinë e ligjit, mund ta arrijë këtë gjë. BE duhet ta përkrahë atë dhe gjithçka që ajo përfaqëson. Lufta kundër korrupsionit në Rumani dhe vende të tjera është një betejë për shpirtin e Europës./Project Syndycate

Guy Verhofstadt, një ish-kryeministër belg, është kryetar i Grupit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën (ALDE) në Parlamentin Europian.

Forum Guy Verhofstadt ish-drejtoresha e Drejtorisë Kombëtare të Anti-Korrupsionit të Rumanisë ish-kryeministër belg Korrupsioni kryetar i Grupit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën në Parlamentin Europian Laura Codruta Kovesi