Kosova15 Dhjetor 2022, 13:52

· Uncategorized

Shkruar nga Pamfleti
· Uncategorized

Serbët e veriut nuk janë duke dhënë shenja të respektimit të kërkesave që i kanë bërë faktorët ndërkombëtarë sa i përket largimit të barrikadave nga rrugët në këtë zonë të Kosovës. Madje barrikada të reja janë vendosur të enjten në fshatin Çabër në veri.

Faktori ndërkombëtar dhe institucionet vendote vazhdimisht kanë bërë thirrje nga për heqjen e barrikadave të cilat ishin vendosur me 10 dhjetor fillimisht në Rudarë, megjithatë një gjë e tillë nuk është duke ndodhur, përkundrazi, postblloqet po shumohen në vende të reja.

Një barrikadë tjetër është vendosur një ditë më parë në Zubin Potok.

Sikurse barrikada e sotme edhe ajo e vendosur në Zubin Potok është e përbërë nga dy kamionë.

Këto postblloqe janë vendosur nën pretendimin për të rritur sigurinë e qytetarëve serb, të cilët ndihen të pasigurt nga forcat e Policisë së Kosovës, edhe pse policët kosovarë nuk kanë shkaktuar asnjë incident në veri.

Asambleja Parlamentare e NATO-s ka kërkuar të mërkurën heqjen e menjëhershme të barrikadave.

Edhe Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe në Beograd kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku kanë kërkuar që barrikadat të çmontohen.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë deklaruar se KFOR-i u ka kërkuar kohë për heqjen e tyre.

Kjo krizë në veri erdhi pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç nga radhët e komunitetit serb, i cili dyshohet se ka kryer sulme me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës.

Pas vendosjes së barrikadave, ka pasur edhe gjuajtje me armë dhe shok-bomba ku një polic i Kosovës ka mbetur i plagosur.

Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se sot do t’i kërkojë NATO-s vendosjen e ushtrisë serbe në Kosovë, kërkesë kjo për të cilën është shprehur kundër SHBA-ja.

Prishtine Barrikadat NATO SHBA veriu i Kosovës

Kosova