Pas rezultateve zhgënjyese në javët e fundit, presidenti i Interit Steven Zhang është rikthyer të flasë mbi të ardhmen e teknikut Antonio Konte. Rezultatet nuk janë aspak në nivelin e pritshmërive, megjithatë presidenti i klubit zikaltër e ka quajtur trajnerin italian një lider që po punon për të hedhur bazat e një projekti fitues në të ardhmen.
“Konten e kemi identifikuar si njeri profesionit për të krijuar një mentalitet fitues. Antonio është lideri i Interit dhe zona teknike ka hedhur bazat solide për të ndërtuar një erë të re fituese të historisë së klubit zikaltër. Projekti i rritjes së Interit është konsoliduar, bazuar në krijimin e një marke globale dhe në një vizion inovativ të biznesit, i cili sheh gjeneratat e reja si objektivin kryesor. Angazhimi ynë për të ardhmen synon gjithmonë garantimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë dhe rritje në performancën sportive, deklaroi Zhang.
Këto fjalë ishin mjaft të rëndësishme jo vetëm për ambientin zikaltër, por edhe për trajnerin Konte, pozitat e të cilit ishin lëkundur shumë, pas humbjes me Realin, ku tashmë zikaltërve u duhet një mrekulli për të shpresuar te kualifikimi.