Aktualitet29 Nëntor 2022, 14:29

Tirana dhe Shkupi brenda BE-së në 2030? Presidenti gjerman flet nga Shkupi: Unë nuk jam profet

Shkruar nga Pamfleti
Tirana dhe Shkupi brenda BE-së në 2030? Presidenti gjerman flet nga

Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier nis sot, një udhëtim katërditor në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

“Fokusi i udhëtimit është situata në rajon, efektet e luftës së agresionit rus në Ukrainë dhe mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”, bëhet e ditur në një njoftim të presidencës gjermane.

Në një intervistë për DW presidenti Frank-Walter Steinmeier thotë se udhëtimi i tij synon të sinjalizojë se Ballkani Perëndimor nuk është aspak i lënë në harresë.

“Udhëtimi në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri shërben gjithashtu për të dërguar mesazhin për të gjithë rajonin: Nëse do të bëjnë progresin përkatës në vendet e tyre, atëherë edhe rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të bëhet më e menaxhueshme”

I pyetur se kur do ti bashkohen dy vendet BE-së, Presidenti gjerman thotë se unioni europian pret që reforma të bëhen shpejt nga Ballkani Perëndimor.

Pjesë nga intervista:

DW: Pyetjes se  BE-ja nuk ka një plan kohor për Ballkanin Perëndimor. Kështu që disa vende i kanë caktuar vetë datat se kur synojnë anëtarësim, si për shembull, në vitin 2030. A do t’u  thoni deputetëve se kjo datë është realiste, kur të flisni në parlamentet e këtyre vendeve?

Frank-Walter Steinmeier : Unë jam President, e jo profet! Prandaj, siç thashë, kjo varet nga vullneti i brendshëm për t’u reformuar dhe nga gatishmëria për t’i zbatuar realisht reformat. Por sot ne mund të argumentojmë edhe ndryshe karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sepse, për shembull, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë hapa vendimtare përpara. Kjo forcon vetëbesimin në këto vende dhe gjithashtu ua bën të qartë të tjerëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, se ky hap ia vlen. Dhe, të mos harrojmë se, përtej çështjes së anëtarësimit në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe gjatë këtij rrugëtimi shënohen përparime. Në Berlin filloi shumë vite më parë Procesi i  Ballkanit Perëndimor.

Siç më kujtohet, ka qenë shumë e vështirë në fillim. Por, duke pasur parasysh samitin e fundit, atëherë mendoj se udhëtimi me letërnjoftime, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e evropianëve për të ndihmuar në rritjen e çmimit të energjisë, janë përparime domethënëse. Pra, e kuptoj padurimin, pa diskutim. Por nuk jemi as në fazën kur duhet të flasim për shkurajim. Jo vetëm për shkak të Ukrainës, sepse ne të gjithë jemi duke mbajtur një sy nga Ballkani Perëndimor, por edhe sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ku ka hapa përpara.

DWBE-ja pret reforma të shpejta nga Ballkani Perëndimor, por gjithashtu thotë se duhet të reformojmë veten së pari, përpara se të jemi të gatshëm për të pranuar anëtarë të rinj. Dhe sa mendoni se mund të zgjasë kjo?

Frank-Walter Steinmeier: Duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Por më duhet t’jua pranoj se nuk shoh asnjë shenjë për momentin që institucionet evropiane do të reformohen së shpejti. Duke qenë se unë i njoh institucionet evropiane prej shumë vitesh edhe nga brenda, e di që jemi në një seri krizash multiple, kujtoj krizën e euros, na kujtohet kriza e refugjatëve e viteve 2015 dhe 2016.

Si BE kemi pasur një sfidë të madhe me luftimin e pandemisë. Sigurisht, të gjitha këto ishin  kriza që vijuan me shpejtësi njëra pas tjetrës dhe, siç e shohim tani, kriza e pandemisë nuk ka përfunduar ende, dhe lufta e agresionit rus kundër Ukrainës është një barrë për të gjithë ne. Gjëra të tilla thithin energji dhe nuk lënë hapësirë në kokat e njerëzve për reforma të brendshme, megjithëse jam dakord që ato janë urgjente.

Shkupi BE Frank-Walter Steinmeier Shkupi Tirana