Aktualitet12 Prill 2019, 11:35

Tirana t’i ikë “diplomacisë së toptan-pazarit” me Greqinë

Shkruar nga Pamfleti
Tirana t’i ikë “diplomacisë së toptan-pazarit”

Tirana t’i ikë “diplomacisë së toptan-pazarit” me Greqinë

Sikundër pritej, rezultati i dinamikës së “diplomacisë së toptan-pazarit” ishte dështim për Shqipërinë. Ndërsa Athina tallej me Shqipërinë me apostilat dhe me patentat, ajo nuk hoqi dhe mban sot e kësaj dite në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë të vitit 1940, ligj absurd që nuk ka lidhje me ndonjë çështje të marrëdhënieve dypalëshe, që ta pengojnë heqjen e tij.

Shkruan Shaban Murati

Disa diplomatë të huaj në Tiranë kanë mbetur të habitur nga veprimi i qeverisë së Shqipërisë, e cila me një telefonatë presioni të kryeministrit grek hoqi në 1 prill 2019 nga “Gazeta Zyrtare” VKM-në e saj lidhur me titujt e pronësisë së tokave bujqësore në brezin bregdetar të Shqipërisë. Siç njofton “greekreporter.com” në 1 prill, “sipas agjencisë “AMNA” tërheqja shqiptare erdhi pas ndërhyrjes së kryeministrit grek Cipras”.

Diplomatët e huaj në kryeqytetin shqiptar nuk arrijnë të kuptojnë se si, ndërsa Athina ka rritur agresivitetin e saj drejt Tiranës, qeveria e Shqipërisë mban një qëndrim të ngrirë gojëmbyllur dhe as i përgjigjet Athinës dheas nuk prononcohet për kërkesat e saj në marrëdhëniet me Greqinë.

Duke rrëmuar arsyet e kësaj ngrirje të qeverisë së Shqipërisë, kërkimi të çon në çarkun e madh, ku e ka futur veten Shqipëria me pranimin e të ashtuquajturës paketë të çështjeve dypalëshe në bisedimet me Greqinë, që filluan zyrtarisht në nëntor të vitit 2017. E ashtuquajtura paketë e gjitha çështjeve dypalëshe, të cilën unë e kam përkufizuar “diplomacie toptan-pazarit”, është çarku, ku diplomacia greke e futi në trekëndësh diplomacinë shqiptare, me strategjinë e njohur greke që të mos lëshojë asgjë dhe të marrë gjithçka.

“Diplomacia e toptan-pazarit” ishte propozim dhe ide e ministrit të jashtëm grek Nikos Kocias, që duke futur në një thes probleme të qena e të paqena, të vogla dhe të mëdha, të vjetra dhe të reja, midis dy shteteve, krijonte kushtëzimin e lidhjes me njëra-tjetrën dhe të zgjidhjes me njëra-tjetrën të çështjeve të hapura dypalëshe në të njëjtën kohë.

Ishte një taktikë dinake diplomatike, e pa dëgjuar ndonjëherë, sepse çështjet e hapura historike dhe aktuale në marrëdhëniet midis dy shteteve nuk mund të futen të gjitha në një thes dhe të kushtëzojnë njëra-tjetrën për zgjidhje të njëkohshme. Në diplomaci dhe në marrëdhëniet problematike midis dy shteteve çështjet zgjidhen një e nga një dhe kështu avancohen realisht marrëdhëniet.

Nëse fut në një thes apostilën greke, (ku Greqia ishte i vetmi shtet i BE që na e mbante pas qafe), me marrëveshjen e detit, dhe nëse fut njohjen e patentave të shoferëve shqiptarë me varrezat greke në Shqipëri, është e qartë se dikush po shet ajër dhe dikush po e blen atë.

Duhet theksuar këtu se asnjëherë në marrëdhëniet problematike midis Shqipërisë dhe Greqisë, që nga viti 1914 i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike e deri në ditët tona,një periudhë e gjatë historike e mbushur me probleme dhe tensione të vazhdueshme midis dy vendeve, nuk është dëgjuar të propozohet zhvillimi i bisedimeve me metodën partizane “të gjitha çështjet në një thes”.

Kjo nuk ka ndodhur as me qeverinë e Ahmet Zogut, as me qeverinë e Enver Hoxhës, as me qeverinë e Aleksandër Meksit, as me të Fatos Nanos, as me të Sali Berishës, as të Pandeli Majkos, as të Ilir Metës. Nuk janë shpjeguar kurrë arsyet pse u pranua nga Shqipëria në 2017 çarku grek i “diplomacisë së toptan-pazarit”.

Që nga ai moment shtetit shqiptar iu lidhën duart dhe timonin e bisedimeve dypalëshe e mori në dorë diplomacia greke dhe kjo u demonstrua haptazi me imponimin, që Athina i bëri Tiranës lidhur me rendin e ditës të bisedimeve. Në planin teorik “diplomacia e toptan-pazarit” u propozua si një metodë e të drejtës së secilit shtet për shtrimin në tavolinën e bisedimeve dypalëshe të çështjeve, që secili shtet mendon se janë të hapura midis tyre.

Por Athina e shkeli këtë parim, sepse i diktoi Shqipërisë të mos fuste dhe të mos përmendte çështjen çame në rendin e ditës së bisedimeve të “toptan-pazarit”dypalësh. Çështja çame mbeti jashtë thesit me diktat të palës greke dhe pala shqiptare iu nënshtrua diktatit grek. Një diplomaci profesioniste dhe kombëtare duhet të kishte hequr dorë që në atë moment nga “diplomacia e toptan-pazarit”, sepse me heqjen e çështjes çame nga bisedimet, diplomacia e toptan-pazarit kishte rënë nga fuqia dhe krijonte dizekulibrin e pozitave të forcës në favor të Greqisë në tavolinën e bisedimeve.

Në mënyrë absurde Tirana hiqte dorë nga çështja çame, në një kohë kur një vit më parë, në shtator të vitit 2016, Komisioni Europian nëpërmjet Komisionerit të Lartë të BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, kishte sanksionuar në parlamentin europian ekzistencën e çështjes çame si çështje për t’u biseduar midis dy shteteve.

Nga ana tjetër Greqia arriti nëpërmjet “diplomacisë së toptan-pazarit” t’i imponojë Shqipërisë rinegocimin në tavolinën e re të bisedimeve të marrëveshjes së vdekur të detit të vitit 2009, akt që bie në kundërshtim flagrant me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila në 15 prill 2010 e ka shpallur atë marrëveshje të pavlefshme dhe inekzistente. Dhe Tirana e hëngri karremin grek.

Sikundër pritej, rezultati i dinamikës së “diplomacisë së toptan-pazarit” ishte dështim për Shqipërinë. Ndërsa Athina tallej me Shqipërinë me apostilat dhe me patentat, ajo nuk hoqi dhe mban sot e kësaj dite në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë të vitit 1940, ligj absurd që nuk ka lidhje me ndonjë çështje të marrëdhënieve dypalëshe, që ta pengojnë heqjen e tij.

Heqja e ligjit të luftës është detyrim i njëanshëm i Athinës për ta hequr dhe nuk është çështje, që Shqipëria duhet t’i duhet t’i japë ndonjë shpërblim Greqisë. Por diplomacia dinake greke e ndërthuri me çështjet e hapura dypalëshe dhe e konsideroi ligjin e luftës si pazar dypalësh, në një kohë që ai është detyrim i Greqisë ta heqë ligjin absurd të luftës me një shtet, me të cilin ka marrëdhënie diplomatike, ka nënshkruar Traktat dypalësh Miqësie dhe janë të dy anëtare të NATO-s. Nuk po shkojmë me tutje të përmendim se Greqia e ka hequr të njëjtin ligj lufte me Italinë që në vitin 1949 dhe me Shqipërinë e mban në fuqi edhe në vitin 2019.

Mirë Greqia tallet dhe nuk e heq ligjin e luftës, por absurditeti është që Tirana ka dy vjet që nuk flet për ligjin e luftës dhe nuk i kërkon Greqisë abrogimin e tij. Tirana ka dy vjet që nuk flet për çështjen çame. Tirana ka dy vjet që nuk flet për çështjen e kuotës shqiptare të ujrave të lumit Vjosa, që na e ka grabitur Greqia. Tirana ka dy vjet që nuk i kërkon më Greqisë njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Nuk mund të mos shqetësojë opinionin kjo ngrirje apo vetëngrirje e Tiranës në marrëdhëniet me Greqinë, sidomos në kohën kur ka një agresivitet të pazakontë ndërhyrje të Greqisë në punët e brendshme të Shqipërisë, siç janë këto për legjislacionin e brendshëm shqiptar.

Ngrirja apo vetëngrirja e Tiranës, larg detyrës së mbrojtjes së interesave dhe të drejtave të shtetit në raport me Greqinë, mendoj se është produkti drejtpërdrejtë i të ashtuquajturës “diplomaci e toptan-pazarit”. Në Tiranë duket vazhdojnë të ëndërrojnë sa të piqen fiqtë grekë në kalendarët grekë dhe do të bien në prehrin e Tiranës. Ndërkaq Greqia po vjel fiqtë shqiptarë. Sepse është vërtet flagrante që Athina po bën shantazh të përjavshëm mbi Tiranën për çështjen e shpikur të minoritetit grek në Shqipëri.

Nëpërmjet “diplomacisë së toptan-pazarit” Greqia ka paraqitur rivendikime aneksioniste për ligjin e brendshëm shqiptar të minoriteteve, duke kërkuar statuse dhe zona të reja minoritare, duke kërkuar legalizimin e vetë-shpalljeve antiligjore për përkatësi minoritare greke, duke kërkuar trajtim selektiv dhe hierarkik në administratën shtetërore për minoritetin grek dhe duke arritur deri atje sa të kërkojë elemente autonomie për minoritetin grek. Ky shantazh diplomatik u lejua nga “diplomacia e toptan-pazarit” dhe inkurajohet nga memecllëku i inferioritetit zyrtar shqiptar.

Greqia, e cila nga ana e saj nuk njeh asnjë lloj minoriteti në vendin e vet, në një kohë që ka disa minoritete si shqiptar, turk, maqedonas, vlleh, romë, etj. dhe e cila në periudhën midis dy luftërave botërore e njihte zyrtarisht minoritetin shqiptar, rivendikon ndryshimin e ligjit të brendshëm shqiptar të minoriteteve. Athina nuk kërkon barazinë e të drejtave të minoriteteve para ligjit, por kërkon diferencimin midis tyre.

Athina kërkon krijimin e një hierarkie minoritetesh, ku minoriteti grek të ketë status të posaçëm administrativ më të favorizuar në krahasim me minoritetet e tjera. Kërkon gjithashtu shtrirjen gjeografike të zonave minoritare greke në tërë Shqipërinë e Jugut, gjë që përputhet me mentalitete të vjetra rivendikuese ndaj Shqipërisë. Këto janë kërkesa politike e strategjike, që nuk kanë të bëjnë as me minoritetin, as me ligjin e ri dhe as me të drejtat e tyre.

“Diplomacia e toptan-pazarit” krijoi një situatë të re disproporcionale në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë në disfavor të Shqipërisë. Ndaj Tirana duhet të ikë një orë e më parë nga çarku i “diplomacisë greke të toptan-pazarit”. Zyrtarët e tanishëm të shtetit shqiptarë duhet të kenë parasysh se “diplomacia e toptan-pazarit” apo e ashtuquajtura paketë e gjitha çështjeve të hapura midis dy shteteve, që u kurdis nga ish-ministri i jashtëm grek, nuk është detyrim shtetëror dhe as një marrëveshje e nënshkruar midis dy qeverive.

Ajo është thjeshtë një metodë personale apo mënyrë personale e zhvillimit të bisedimeve midis dy palëve, që u ra dakord në një kohë të caktuar nga njerëz të caktuar, që rastësia i hodhi në ato pozita. Asnjëra palë, pra asnjëra qeveri, nuk ka ndonjë lloj detyrimi që të vazhdojë metodën e gabuar të paraardhësve në bisedimet. Ishte një rastësi e lumturi ikja nga drejtimi i diplomacisë greke i autorit grek të çarkut të“diplomacisë së toptan-pazarit”. Nuk ka asnjë arsye që të vazhdohet nga Tirana kjo rrugë dhe metodë e dëmshme antishqiptare.

Shqipëria nuk demonstron as pavarësi e as dinjitet, duke ndjekur formula të helmatisura diplomatike,që janë qorrsokak për interesat e saj jetike në marrëdhëniet me Greqinë. Shqipëria e ka urgjente të rivendosë pozicionin e barabartësisë në raportet me shtetin fqinj të jugut.

Shqipëria mund ta arrijë këtë duke kërkuar me forcë heqjen e ligjit absurd të luftës, duke kërkuar shtrimin dhe zgjidhjen e çështjes çame, duke refuzuar çdo rivendikim grek për kufijtë detarë të Shqipërisë, duke kërkuar marrëveshje për ujërat e grabitura shqiptare të Vjosës, duke refuzuar kthimin e Shqipërisë së Jugut në zonë minoritare greke, duke kërkuar memoriale për partizanët çamë të vrarë në territorin e Greqisë në betejat me fashizmin, duke kërkuar njohjen e Kosovës, etj. etj.

Zyrtarë të mefshtë dhe pa dinjitet përpiqen të justifikojnë lëshimet strategjike ndaj Greqisë me votën e Athinës për një datë të hapjes së bisedimeve të pranimit me BE. Janë përralla dobësie dhe inferioriteti, sepse për Shqipërinë sovraniteti dhe dinjiteti shtetëror e kombëtar nuk janë kusur për integrimin europian.

Në mandatin e tij të parë qeverisës kryeministri Edi Rama ndërmori hapa pozitive për të vendosur një simetri në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk dihen arsyet përse në mandatin e tij të dytë qeverisës peshorja e marrëdhënieve midis dy shteteve kaloi në shtratin klasik të asimetrisë së njohur të këtyre marrëdhënieve. Është një temë, të cilën vazhdojnë ta hulumtojnë diplomatë të huaj dhe vendas.

Forum “diplomacia e toptan-pazarit” me Greqinë Alexis Tsipras Edi Rama Shaban Murati