
Ekspert ushtarak, Philip Ingram tha se forcat ruse ka të ngjarë të tërhiqen përfundimisht nga Kherson, që do të thotë se Moska do të humbasë qytetin më të madh nën kontrollin e saj.
Moska ka evakuuar civilët nga qyteti jugor në përgatitje të një kundërofensivë ukrainase. Ekspertët prisnin një betejë të ashpër midis dy palëve, por ish-oficeri i lartë i inteligjencës dhe sigurisë ushtarake, Philip Ingram thotë se tani duket “e pamundur” që forcat ruse të qëndrojnë për të mbrojtur qytetin.
Gjatë një interviste për Sky News, ai tha se kishte “më shumë gjasa që ata të tërhiqen“, duke shtuar se kjo tregon një “tjetër fushatë të dështuar për Vladimir Putin“.
Sipas burimeve një numër i madh ushtarësh rus të sëmurët dhe të plagosurit janë nxjerrë nga spitalet e Khersonit.
“Ushtarët rusë të sëmurë dhe të plagosur tani po largohen nga spitalet në zonë. I ashtuquajturi evakuim i pushtuesve nga territori i pushtuar përkohësisht i rajonit Kherson, duke përfshirë edhe institucionet mjekësore, vazhdon. Të gjitha pajisjet dhe ilaçet po hiqen nga spitalet e Khersonit,” tha Oleksandr Shtupun në një përditësim të mediave sociale.
Mbrëmë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se rusët po “çmontonin të gjithë sistemin e kujdesit shëndetësor” në Kherson dhe zona të tjera të pushtuara.
“Okupatorët kanë vendosur të mbyllin institucionet mjekësore në qytete, të marrin pajisjet, ambulancat e gjithçka tjetër. Ata ushtruan presion mbi mjekët që ende mbetën në zonat e pushtuara që ata të shpërngulen në territorin e Rusisë” tha ai.