Politike30 Tetor 2018, 08:38

Tjetër ‘furtunë’ në PS, Rama gati valën e dytë të shkarkimeve, kryebashkiakët dhe deputetët që janë në &#

Shkruar nga Pamfleti
Tjetër ‘furtunë’ në PS, Rama gati valën e

Tjetër 'furtunë' në PS, Rama gati valën e dytë të shkarkimeve, kryebashkiakët dhe deputetët që janë në 'listën e zezë'

Kryeministri Edi Rama shumë shpejt pritet të nisë një valë tjetër shkarkimesh dhe ndëshkimesh në radhët e Partisë Socialiste. Pak ditë më parë u shkarkuan 11 krerë degësh të PS, por pritet që të ketë edhe emra të tjetër në radhët e drejtuesve socialistë që mund të kenë fatin e tyre. Ndërkohë që ndëshkimit nuk do t’i shpëtojnë as edhe kryetarët e bashkive të Partisë Socialiste, deputetët apo edhe drejtorët e administratës publike.

‘Sot’ ka mësuar se arsyeja kryesore tek e cila u bazua shefi i selisë rozë sa i takon vendimit për të shkarkuar 11 vartësit e tij në rrethe ka të bëjë me denoncimet e qytetarëve por edhe anëtarëve të thjeshtë të PS. Mësohet se qytetarët kanë denoncuar tek kryeministri Edi Rama faktin se krerët e PS kishin braktisur detyrën e tyre, duke mos përmbushur asnjë nga udhëzimet e kërkuara nga kryetari i Partisë Socialiste, në kuadër të riorganizimit të partisë dhe zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

Po ashtu, sipas burimeve të gazetës mësohet se në adresë të kreut të qeverisë kanë shkuar me qindra letra, ku denoncohet fakti se krerët e bashkive, krerët e degëve të PS, drejtorë të administratës, madje edhe deputetë të caktuar kanë marrëdhënie të mira me LSI, duke flirtuar me këtë parti. Mësohet se shumë militantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët vijojnë ende të jenë pjesë e administratës, kanë pikërisht mbështetjen e disa krerëve të degëve të PS, deputetëve dhe krerëve të bashkive.

Kështu që i ndodhur përpara kësaj situate, por edhe pas bumit të madh të denoncimeve, kryeministri Edi Rama ka vendosur që të nisë valën e dytë të shkarkimeve, ku më të ekspozuarit për t’u prekur janë ata të cilët flirtojnë me LSI. Madje, gazeta mësoi se kryeministri Edi Rama duke ditur se raportet e bazës mund të manipulohen dhe censurohen nga krerët të caktuar që kanë marrëdhënie të mira me LSI, ka marrë në konsideratë vetëm denoncimet e qytetarëve dhe denoncimet tek platforma e “Bashkëqeverisjes për Shqipërinë që duam”, duke vendosur për fatin e vartësve të vetë në PS, nëse do të shkarkohen apo jo.

Deputetët që flirtojnë me LSI

Gazeta mësoi se vala e shkarkimeve nuk do të kursejë edhe drejtorë të ndryshëm në administratë, për të cilët ka denoncime të ndryshme nga qytetarët, pasi jo vetëm që nuk kanë hapur vende pune por edhe kanë favorizuar duke vijuar të mbajnë në detyrë militantë të LSI. Po ashtu, mësohet se Rama i ka dërguar një listë me emra konkretë bazës dhe ministrave, duke kërkuar shkarkimin për drejtorët abuzues, sidomos ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë që gazeta mësoi se i pari i qeverisë ka qenë i prerë në direktivat e tij, duke kërkuar angazhim maksimal nga ministrat, krerët e bashkive socialiste, që të hapin sa më shumë vende pune, pasi në të kundërt nuk do të rikandidohen në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Shkarkimi i 11 krerëve të PS

Kryeministri Edi Rama shkarkoi pak ditë më parë 11 krerë të degëve të Partisë Socialiste. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Kryesisë dhe që më pas u miratua në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste. Mirëpo, gazeta ka mësuar se arsyet që çuan shefin e qeverisë që të shkarkonte 11 drejtuesit socialistë në rrethe janë shkarkuar për neglizhencë, mungesë organizimi, mospërmbushje detyrash e objektivash dhe shthurje në ato degë bashkiake, ku drejton opozita.

Politike Edi Rama shkarkime ne ps