Ekonomi 7 Dhjetor 2022, 20:23

Tjetër ndërhyrje në buxhet, rishpërndahen 260 milionë euro mes rindërtimit dhe borxheve

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria do të ndërhyjë sërish në buxhet, teksa që prej ndryshimit të fundit në korrik, planet kanë ndryshuar, si në drejtim të të ardhurave, ashtu edhe te realizimi i shpenzimeve.

Përmes një tjetër akti normativ, Ministria e Financave pret 5 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhetin e vitit 2022, nga të cilat 3 miliardë lekë nga TVSH-ja.

Kjo nënkupton se kriza e çmimeve po u kushton edhe më shumë shqiptarëve.

E teksa buxheti fryhet nga xhepat e boshatisur të qytetarëve, në prag të festave të fundvitit, shkurtohen nga paketa e rezistencës sociale 1.88 miliardë lekë, të pashpërndara deri më sot te grupet vulnerabël.

Para do t’i zbriten edhe disa investimeve me financim të huaj që kanë hasur pengesa te shpronësimi, 5.9 miliardë lekë zbriten nga interesat e borxhit, 5.3 miliardë lekë të tjera i hiqen investimeve me ecuri të ngadaltë dhe 1 miliardë lekë i hiqen fondit të kompensimit të pronarëve.

Paratë shtesë nga këto shkurtime, si dhe nga taksat me performancë më të mirë se sa pritej, qeveria do t’i rishpërndajë kryesisht për infrastrukturën.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që të shpenzohen për tre javët e mbetura 12.4 miliardë lekë për rindërtimin nga tërmeti dhe 5 miliardë lekë për projekte strategjike si tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Tiranës, si dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Dy miliardë lekë do të shkojnë për furnizimin me ujë dhe detyrimet e ujësjellës-kanalizimeve, e po aq do të shkojnë edhe për aviacionin civil.

Fonde shtesë prej 1.2 miliardë lekësh i janë alokuar Albgaz-it, nisur nga nevoja emergjente për gazifikimin e vendit, në kuadër të krizës së karburanteve.

Pjesa tjetër e tortës shpërndahet tek Policia e Shtetit me 1 miliard lekë për uniforma dhe karburant, por po kaq edhe te bashkitë që rrezikojnë falimentin për shkak të detyrimeve të prapambetura.

Ndërsa në pritje të rihapjes së basteve online, një fond prej 250 milionë lekësh i kalon Komitetit Olimpik Shqiptar për infrastrukturë sportive dhe kombëtares së futbollit i kalojnë 70 milionë lekë, përmes FSHF-së. /A2 CNN


smile

Ekonomi Buxheti qeveria