Aktualitet 2 Shkurt 2023, 10:01

Tjetër protestë në sfond! E lodhshme!

Shkruar nga Pamfleti
Tjetër protestë në sfond! E lodhshme!

Me një Berishë “non grata” në krye jo vetëm nuk mund të shihet si një alternativë pushteti, por as si një partnere e besueshme me ndërkombëtarët.

Shkruan Plator Nesturi

Tjetër protestë në sfond. E lodhshme. Kjo politikë nuk dika të prodhojë tjetër veç protesta me sokëllima luftarake që shuhen e harrohen. Është gjetur edhe sebepi, e udhëheqësi i etur për revolucion pa votë dha kushtrimin: “Marshim mbi Tiranë”. Gjetje e lodhur edhe kjo, pasi ish fotokopje me të shkuarën. As risi parrullash nuk ka në këtë thatësirë mendimi. Opozita vijon të kafshojë bishtin e vet në një rreth vicioz prej së cilës nuk del dot dhe po shndërrohet në stres social, aq sa njerëzia do ta toleronte Ramën edhe sikur të ish në faj përballë këtij kaosi pa koordinata. Pasi duhet të kesh guxim të çartur të bësh thirrje e të tubosh protestë për hall të “Non Grata-s” personale me fabulën se e gjithë kjo është një intrigë e vockël nga marrëdhëniet e kryeministrit me një ish zyrtar FBI-je.

E po ashtu duhet të jesh aq dru nga avuj rakie a hashashi që ta besosh këtë delir e ta ndjekësh në aventurën me Mullijtë e Erës. Aq më shumë kur vetë opozitarët rrotull Doktorit, që nuk janë të panjohur me pushtet e që e kanë ushtruar atë për shumë vite, e kanë të qartë që marrëdhëniet midis shteteve, aq më tepër ato me partnerë strategjikë si SHBA, kalojnë nëpërmjet shumë kanaleve, në shumë filtra dhe me shumë informacion alternativ, prej të cilave qëndrimet e vendimet e Departamentit të Shtetit janë sintetizim i të gjithave dhe jo influencë nga një zyrtar i veçantë.

Është e tepërt që një forcë politike, aq më shumë PD që ka dominuar jetën politike në 30 vite, të harxhojë kaq kohë e energji në eter për hir të një personazhi të vetëm. Kushdo qoftë ky. Do të ish ose verbëri apo trallisje politike ose mbajtje penge të gjithë partisë. Të jesh në krye është padyshim përgjegjësi, por s’ka më keq kur kjo përgjegjësi po merr me vete në fatin e tij të keq të gjithë partinë të cilën e ka akaparuar. Non grata e Berishës nuk mund të ish kurrsesi një akt i shkëputur dhe që ngelet  tek pasojat personale. Non grata shndërron çdo gjë që Berisha e prek politikisht apo që i shërben si vegël atij në përpjekjet për të larë vetveten.

Po ashtu Non grata dëshmoi se nuk do të mbetej një vendim i izoluar i SHBA. Sot tingëllojnë naive deklaratat e idhtarëve të parë të Berishës në rrugën e tij të Foltores ndërsa relativizonin dënimin e dhënë nga SHBA për ish liderin, me faktin se Berishën sidoqoftë e duan evropianët dhe se marrëdhëniet me ta mbeten “shkëmb graniti”. Në fund të rrugëtimit të Foltores, ndërsa shpalleshin rezultatet e votave për kryetar të PD-së, edhe nga miqtë evropianë nuk pati asnjë mesazh urimi si për Berishën ashtu dhe për atë pjesë të PD-së të drejtuar prej tij. Vetëm heshtje e më pas një Non Grata tjetër nga Britania e Madhe. Pasi Berisha i kishte surprizuar të gjithë me piruetat e shndërrimit të tij në flutur me kurorë, por jo ndërkombëtarët. Surpriza u mbeti në derë edhe atyre që menduan se mund ta përdorin Berishën.

Që besuan se misioni i tij do të përmbyllej me rrëzimin e ish delfinit të tij, Bashës, dhe do të hapte rrugën për një brez të ri në lidershipin e partisë më të madhe të opozitës. Por ishin ata që u përdorën nga Berisha duke shuar çdo fantazi të gjithësecilit kur lideri i vjetër deklaroi papritur se do të ishte ai vetë që do ishte në krye të PD-së. Përroi i ideve të brezit të ri të politikës se si duhej të shndërrohej PD në të ardhmen nën drejtimin e lidershipit të ri, shterroi papritur. Berisha mund të tregohet i hapur e plot fantazi për aleanca deri sa të arrijë qëllimin, por kur arrin të jetë në krye, nuk i pëlqejnë më idetë e të tjerëve. Kështu gjithë ai proces i nisur plot trumbetim për hapje e krahëhapje, për ide të reja e vizion shpresëdhënës, u venit për ti mbetur ekskluzivitet vetëm njëshit, të pandryshueshmit në dekada e që mbetet i pandryshueshëm dhe në mentalitet. Tashmë, situata është mëse rekamboleske për PD-në. Me një Berishë non grata në krye jo vetëm nuk mund të shihet si një alternativë pushteti, por as si një partnere e besueshme me ndërkombëtarët. Dhe natyrisht, vetë propaganda e PS-së do ti mëshojë fort këtij fakti në betejat e brendshme politike.

Çështja është se si duhet të veprojë PD në të tilla rrethana. Dikur PS për ti dhënë vetes një fytyrë më evropiane u tregua e gatshme të largonte prej saj të gjithë lidershipin e vjetër politik por jo vetëm kaq. Përqafoi parime të reja duke i qëndruar larg mentalitetit të vjetër për të hedhur bazat e një partie më moderne politike. A mund ta bëjë këtë PD për të garantuar të ardhmen e saj politike? Njerëzit lodhen ndërsa koha fluturon pa produkt.  Ndërsa Berisha i orienton energjitë e partisë  në rrugë e në betejë protestash pa fund, veçse i vidhet kohë e çmueshme PD-së për të shpëtuar nga multipërdorimi e për tu shndërruar në institucionin e opozitës.

Forum #Plator Nesturi Sali Berisha