Bota 9 Shkurt 2023, 09:45

Togeri shqiptar tregon detaje nga tërmeti në Turqi: Lëkundjet vështirësojnë punën, 20 mijë persona rezultojnë të zhdukur

Shkruar nga Pamfleti
Togeri shqiptar tregon detaje nga tërmeti në Turqi: Lëkundjet

Togeri Grei Malo u shpreh se nuk ka më shpresë që të nxjerrin njerëz të gjallë nga rrënojat e tërmetit tragjik që goditi mëngjesin e të hënës Turqinë.

Në një intervistë për emisionin “Good Morning Albanians”  ai tha se po bëjnë maksimumin që të nxjerrin trupat nga rrënojat, por punën e tyre po e vështirësojnë moti i ftohtë dhe lëkundjet e herë pas hershme të tërmetit.

“Po hapen tunele, është afruar ekipi përkatës  me pajisjen që dëgjon valë të ndryshme në mënyrë që të afrohemi sa më shumë tek njerëzit që mund të jenë gjallë. Nuk ka shpresë.

Po bëjmë maksimumin që t’u japim ndihmë personave të prekur nga tërmeti. Jo më larg se mbrëmë ka pasur lëkundje, dhe rreth orës 4 të mëngjesit pati një goditje rreth 5,2 ballë.

Lëkundjen po vështirësojnë punën e ekipeve të kërkim –shpëtimit. Temperaturat mbrëmë kanë qenë -12 gradë.”, tha ai.

Më tej ai shtoi se rreth 20 mijë persona rezultojnë të zhdukur.

“Në këtë pallat është nxjerrë vetëm një person i gjallë dhe katër trupa pa jetë. Te kjo godinë kanë qenë 25-30 persona. Me sa kemi informacion janë diku mbi 20 mijë persona të zhdukur.”- theksoi ai.

Deri më tani ka shkuar në 16 mijë bilanci i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Situata vijon të jetë tepër e rënduar në të dy vendet, me ekipet e shpëtimit që vijojnë luftën me kohën për të gjetur sa më shumë të mbijetuar në rrënoja. Por forcat e pamjaftueshme dhe moti i keq i shoqëruar dhe me ngrica po i zvogëlojnë shpresat për gjetjen e të mbijetuarave, të cilët tashmë kanë më shumë se 3 ditë të bllokuar.

Autoritetet kanë nisur dhe një luftë ndaj mediave sociale që postojnë lajme të rreme për tërmetin duke arrestuar dhjetëra persona.

Megjithatë, Kaskat e Bardha kanë ndërhyrë për hapjen e një korridori në Bab al-Hawa, Jarabulus dhe Bab al-Salamah për evakuimin e civilëve. Në të njëjtën kohë, BE ka akorduar një ndihmë prej 3.5 milionë dollarësh.

Bota tërmeti togeri shqiptar TURQI