Aktualitet 9 Korrik 2022, 18:09

Tokat e Kosovës sigurojnë vetëm 30 për qind të bukës, pjesa tjetër varet nga importi

Shkruar nga Pamfleti
Tokat e Kosovës sigurojnë vetëm 30 për qind të

Arat e Kosovës këtë vit pritet që të japin bukën për vetëm 30 përqind, krahasuar me nevojën totale për konsum. Kështu është shprehur Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikatës të Bujqve. Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për grurë për kokë banori janë 204 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë.

Sipas informacioneve tona nuk ka më shumë 40 mijë hektarë të mbjellë, aty diku. Bazuar në rendimente shumë të ulëta, nuk do të kemi më shumë se për 30 përqind të nevojave të popullatës. Me këto sipërfaqe dhe rendiment nuk do të arrijmë më shumë 3 mijë kilogramë për hektarë, mesatarja”, është shprehur Tahiri Tahiri për Klan Kosova.

Ai është ankuar në Ministrinë Bujqësisë sa i përket mos mbikëqyrjes së fushatës së korrje-shirjeve, duke shtuar se kanë ndodhur keqpërdorime.

Fushata e korrje-shirjeve në përgjithësi po shkon mirë sepse kombajnerët që janë të angazhuar në terren po punojnë pa ndonjë problem. Mund të ketë aty-këtu disa kombajnerë që po korrin me çmim më të shtrenjtë. 130 euro është caktuar çmimi për hektar nga Ministria e Bujqësisë, por ka kombajnerë që po korrin me 150 euro hektarin.

“Ministria e Bujqësisë e ka neglizhuar fushatën, nuk e ka formuar shtabin për korrje-shirje. Me lamën e një viti sigurohet buka për popullatën dhe duhet t’i kushtojmë shumë më shumë rëndësi”, shtoi ai.

Tahiri ka thënë gjithashtu se bujqit ende nuk i kanë marrë subvencionet për grurë të ndara nga Ministria e Bujqësisë. Për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike dhe shtrenjtimit të çmimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve, fermerët e Kosovës nuk janë në gjendje të garantojnë sasi dhe cilësi të duhur.

Njëherësh, fermerët paralajmërojnë edhe vështirësi në furnizime nga importi për shkak të vazhdimit të luftës në Ukrainë, si dhe bllokimit të eksporteve nga Ukraina dhe Rusia.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë dhe lufta mes tyre ka shkaktuar çrregullime në tregje. Procesi i korrjes së grurit në Kosovë ka filluar në fund të muajit qershor.

Isuf Cikaqi, drejtor në Departamentin për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se në bazë të të dhënave preliminare, sasia e prodhimit të grurit do të jetë brenda mesatares nga 3500-4500 kilogramë për hektarë.

Ai tregon se pritet të korren rreth 70 mijë hektarë sipërfaqe të mbjellë me këtë kulturë. “Edhe sivjet rendimenti do të jetë brenda kësaj mesatare – por është ende herët të flasim pa përfunduar procesi i korrjes”.

Por, Pal Gjuraj, nga Shoqata e Bujqve Prodhues të Grurit te Kosovës, konsideron se kjo sipërfaqe është e pamjaftueshme për nevojat e popullatës së përgjithshme.

Nuk pritet ndonjë rendiment, po flas për ditët e para të fillimit të korrjes. Pritet që për një hektar tokë, rendimenti të arrijë 3.500 kilogramë, ndërkaq vitin e kaluar kjo ishte mbi 4.200 kilogramë”, thotë ai, duke shtuar se me këtë sasi të rendimentit do të sigurohet rreth 30 për qind e kërkesave të popullatës.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori janë 204 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë.

Kryesore bukë Kosove