
Tomas Strakosha “troket” në dyert e Interit, zikaltërit shënjestrojnë portierin shqiptar
E ardhmja e Tomas Strakoshës mbetet një mister. Portieri i përfaqësueses shqiptare, edhe pse është kthyer të luajë titullar me Lacion në pjesën e dytë të sezonit, nuk ka rinovuar ende me bardhekaltrit dhe për momentin nuk duket se ka sinjale të një firme.
Kështu, në mbyllje të këtij sezoni ai mund të largohet drejt çdo skuadre tjetër me parametër zero. “Corriere Dello Sport” ka zbuluar një skenar të bujshëm me portierin shqiptar. Sipas kësaj gazete, Interi është vënë në kërkim të një portieri, pasi nuk ka sigurinë e vazhdimësisë me Handanoviç dhe në ditët e fundit, zikaltërve u është propozuar nga ndërmjetës firma me Strakoshën ose Ospinën.
Të dy janë lojtarë me parametër zero, duke e bërë një opsion shumë tërheqës këtë për Bepe Marotën, i cili ndjek mundësi të tilla në treg. Nga ana tjetër, mes të dyve, Inzagi ka preferencë portierin shqiptar me të cilin ka punuar te Lacio. Gjithçka mbetet e hapur dhe për momentin është në dorë të Handanoviç. Por me kalimin e javëve dhe nëse Strakosha vazhdon paraqitjet e mira, nuk është çudi që zikaltërit të shohin më me prioritet futbollistin e përfaqësueses shqiptare.