Partia Demokratike ka nisur të aktivizohet për zgjedhjet e 25 prillit dhe duket se ‘zemrën’ e elektoratit do e ‘vjedhë’ me buzëqeshje dhe sjelljen e duhur. Kot nuk ka thënë populli: Ta ‘ha zemrën’ me të mirë.
Nuk dihet se cila mendje gjeniale ka gjetur këtë zgjidhje, por sipas informacioneve për mediat, udhëzimi i shpërndarë nga selia blu parashikon në detaje punën që duhet të bëjnë grupet vullnetare, identifikimin e votuesve madje dhe mënyrën se si këto grupe duhet të komunikojnë me qytetarët:
“Mos harroni se ju jeni një përfaqësues personal i partisë dhe i Lulzim Bashës, kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë. Fjalët që thoni dhe përshtypja që krijoni do të kenë një efekt të madh në vendimin e votuesit. Toni i zërit dhe gjuha e trupit janë të rëndësishme. Një buzëqeshje thotë më shumë se mijëra fjalë. Mësoji pikat e Formatit bashkëlidhur dhe mos lexoni gjatë kohës që bashkëbisedoni me votuesin”,- thuhet në udhëzim.
Pra, që kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë të gëzojë votat, gjithçka duhet të bëjnë grupet është: të buzëqeshin dhe të japin idenë se janë ëngjëj. Mirë do ishte të merrnin edhe leksione aktrimi (jo se nuk kanë për model politikanët), por që të dinë të jenë ‘mjaltë e sheqer’ me votuesit.
Në fund të fundit Rama me dajre dhe autobus ahengu mori votat e tani është aq shakaxhi e i lezetshëm, sa nuk po do më njeri ta heqë nga pushteti.
Nëse të djathtët për aheng nuk ia thonë shumë, të paktën (siç thotë edhe udhëzimi i padëgjuar deri më sot) të dinë të qëndrojnë, të buzëqeshin dhe …të aktrojnë.
Sjellja zbukuron njeriun (Populli) /Pamfleti