Aktualitet30 Mars 2022, 11:32

Tradhtia e Dritan Abazoviçit dhe e Mark Milanit

Shkruar nga Pamfleti
Tradhtia e Dritan Abazoviçit dhe e Mark Milanit

Gjëja e parë që do t’i zbulojnë, është më e thjeshta: Mbiemri Abazovic, shkurt Abaz- me një shtesë si xhufkë malazeze ‘viç’. Akti i parë sapo t’u hipë inati, do të jetë ky: ‘Hiqe ore atë xhufkë, je Abaz’. Edhe Mark Milani, emrin e vërtetë e ka Mark Miljanov Popovic, por në gojën e patriotëve shqiptarë i ranë disa shkronja ‘të mallkuara’.

Shkruan Frrok Çupi

Pas ca kohe edhe Dritan Abazoviç i Malit të Zi, mund të na dalë ‘tradhtar’. Tani për tani po ngremë botën më këmbë se ‘një shqiptar’ po bëhet kryeministër i Malit të Zi. Dje gati pëlcitën torbat me lajme nga festa në Ulqin, ku Lëvizja Ura e Dritanit fitoi zgjedhjet vendore; 15 ulëse nga 33. Dritan Abazovic u bë shtysa kryesore që rrëzoi qeverinë e Zdravko Krivokapiq, këtë fillim shkurti. Tani pritet që në krye të qeverisë së shtetit fqinj me ne, të vihet ‘shqiptari Dritan’.

Pyetja shtrohet: ‘A është shqiptari Dritan’ ai që udhëheq shtetin në krahun tonë, apo është ‘kryeministri Dritan Abazovic’ që kryeson qeverinë e shtetit tjetër?

Këtu mund të nisë të shfryhen thasët me lajme të bujshme; të zbrazen por mbase edhe të mbushen me helm! Madje këtu mund të nisë të quhet ‘tradhtar’ Dritani ‘shqiptar’. Se këtu e bëjmë ngatërresën, ashtu siç ngatërrohen shoqëritë e dobëta mes obsesioneve dhe realiteteve; mes nacionalizmit dhe llojit të dyfishtë.

Pse e them këtë frikë se një ditë do të quhet ‘tradhtar’ ky shqiptari ynë?

E para, pse kemi një provë me një shqiptar tjetër po kaq apo edhe më të shquar, sa Dritani. Ky është Mark Milani, dhe ka vija tmerrësisht të ngjashme me Dritanin. Mark Milani, edhe ky është një burrë i madh i Malit të Zi, gjeneral dhe komandant i Ushtrisë, në vitet 1833 deri 1901. Në luftën mes shqiptarëve dhe Malit të Zi ai udhëhoqi ushtrinë e shtetit të tij, prandaj është quajtur herë ‘tradhtar’, herë ’gjeneral i zi’ e plot sulme deri në përsiatje akademikësh. ‘Mark Milani po ban seri/ 30 vetë i preu ni njeri/ Që e ka emrin Jakup Ferri’, thotë një këngë inkurajuese e kohës. Jakup Ferri ishte një luftëtar i shquar shqiptar nga Gucia, që printe shqiptarët në luftë dhe ra në luftë kundër ushtrisë së Markut…

-Unë jam komandant i ushtrisë së shtetit tim, Mal i Zi, dhe kryej detyrën shtetërore- pat shkruar Mark Milani.

‘Por shqiptarët i dua dhe i admiroj!’, shkroi në letërsinë e tij.

Gruaja e tij, Stefa, pas vdekjes së të shoqit pat shkruar se ‘zakonet dhe virtytet e shqiptarëve ishin dobësia e Mark Milanit’.  Mark Milani është autor i disa librave kushtuar shqiptarëve; mes të cilave më i njohuri dhe i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, është edhe libri “Shembuj Burrërie dhe Trimërie – Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve”. “Shpirti, arsyeja dhe nderi, aty kanë zanafillën e tyre. Vetëm ndërhyrja e diçkaje hyjnore ka bërë që ata ta lakmojnë nderin dhe të jenë xhelozë për të! Ja, përse shqiptarët e duan aq shumë nderin dhe nuk u dhimbset as jeta për të”, shkruan Mark Milani në këtë libër. Sipas Millovan Gjillas, Mark Milani është ‘dijetari dhe autori i dytë më i madh i Malit të Zi pas Peter Petroviq Njegoshit’.

Bash për këtë arsye, studiues në Mal i Zi e quajnë ‘tradhtar shqiptar’.

Por a është sot e kësaj dite ‘tradhtar’ për shqiptarët Mark Milani? Pyetni rapsodët, pseudo- studiuesit, nacionalistët, kokë- boshët…, dhe do të të thonë ‘po, është tradhtar, sepse Mark Milani ishte komandant i ushtrisë së Malit të Zi’.

-Po a ishte, vallë, në shtetin e tij?

Kështu kam frikë se do të ndodhë me Dritan Abazovic. Tani për tani, si rapsodët, edhe nacionalistët, edhe kokë- boshët…, ngrihen në hava e thërrasin ‘shqiptari ynë, kryeministër’; por nesër do të quhet ‘Mark Milan’ prej tyre. Një ditë edhe Dritani do të detyrohet t’u thotë: ‘Ore, a jeni në vete?! Unë jam kryeministër i Malit të Zi’.

Atëherë nuk do t’i lënë gjë pa thënë. Gjëja e parë që do t’i zbulojnë, është më e thjeshta: Mbiemri Abazovic, shkurt Abaz- me një shtesë si xhufkë malazeze ‘viç’. Akti i parë sapo t’u hipë inati, do të jetë ky: ‘Hiqe ore atë xhufkë, je Abaz’. Edhe Mark Milani, emrin e vërtetë e ka Mark Miljanov Popovic, por në gojën e patriotëve shqiptarë i ranë disa shkronja ‘të mallkuara’.

Kur Dritan Abazovic do të nisë të kryejë detyrën si kryeministër i Malit të Zi, atëherë nis rreziku të quhet ‘tradhtari’… Nacionalistët dhe mendje- mbyllurit nuk njohin as shtetin dhe asgjë tjetër, përveç epërsisë së tyre. Nacionalizmi (lloji i keq) qëkur hyri, hyri si ide e epërsisë së kombit të vet ndaj kombeve të tjerë. Sa shpesh dëgjojmë që thuhet se ‘tani kemi tre kryeministra, mund të kemi katër, shqiptarë në Ballkan”. Në fakt, gjithmonë do të kemi vetëm një kryeministër të Shqipërisë.  Sa herë dëgjoj që thonë se George Uashingtoni ishte shqiptar nga Peja; se Donald Trampi nga Fani; se George Bush dhe Albright janë nga Himara…

Nacionalisti jo vetëm që nuk neveritet nga krimet e tij, por ka aftësi për të mbyllur sytë dhe veshët dhe për të mos dëgjuar askënd tjetër. Nacionalizmi është një qenie e ngopur nga vetëmashtrimi.

Por vallë, pse jetojmë në kohë moderne, në shoqëri shtetërore, a ka vlerë kjo?… Dritan Abazovicin mund ta gjuajnë me gurë shqiptarët e Muriqanit.

-E kush je ti more Mark Milani!?- i qenë drejtuar atëherë duke i përmendur se ‘ti nga fshati Kuç i Kelmendit je!’… E kush je ti, Dritan?, do t’i drejtohen edhe këtij sapo të mos gjejnë vend në hotelet- kazino në Budva. Për këta, tjetri- qoftë komb ose individ, konsiderohet si milingona- shkruan Orwell- milingona që njëra emërtohet ‘e mirë’, tjetra ‘e keqe’.

Tani për tani Dritani- shqiptari, quhet i mirë, para se të bëhet kryeministër i kombit tjetër.

Forum #Mark Milani Dritan Abazoviç Frrok Cupi