
Prokuroria e Posaçme ka nisur hetim pasuror për “biznesmenin e kokainës”, Eduard Dauti. Bëhet fjalë për administratorin e “Alba Exotic Fruit”, i cili u arrestua pak ditë më parë, pasi në kamionët e kompanisë së tij u gjetën 6 herë sasi të konsiderueshme kokaine.
Mësohet se SPAK ka futur në skaner të gjitha pronat e Dautit, pasi dyshohet se shumica e tyre janë vënë për shkak të trafikut të drogës. Në pronësi të 51-vjeçarit rezulton një automjet tip “Mercedes-Benz”, një motor, 6 sipërfaqe toke, një apartament dhe dy garazhe.
Po ashtu ka nisur dhe një verifikim në të gjitha bankat e nivelit të dytë, ku dyshohet se Dauti ka llogari me shumë të mëdha parsh. Në skaner janë dhe të afërm të tij, pasi dyshohet se shumë pasuri mund të jenë regjistruar në emër të të afërmve. Dauti u arrestua më 6 prill nga policia.
Hera e fundit që kjo kompani u kap me drogë ishte në 12 tetor ku gjetën 10 kilogramë e 185 gramë lëndë. Po ashtu “Alba Exotic Fruit” është kapur me kokainë në konteinerët me banane edhe në 5 operacione të tjera. Në 7 shtator, ku iu kapën 7.7 kg kokainë.
Ndërkohë më herët, në 13 korrik në Portin e Durrësit kësaj kompanie ju sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani.
Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7.25 kilogramë kokainë po në vijim të operacionit “Rada”. Kompania ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘historinë’ me trafik droge ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet. /Pamfleti/