Kronike16 Maj 2022, 13:54

Tragjedi në Bypassin e Vlorës/ Ecte me shpejtësi, rrëzohet kamioni; vdesin shoferi dhe punëtori! Një prej trupave poshtë inerteve

Shkruar nga Pamfleti

Tragjedi në Bypassin e Vlorës/ Ecte me shpejtësi, rrëzohet kamioni; vdesin shoferi dhe punëtori! Një prej trupave poshtë inerteve

Tragjedi në Bypassin e Vlorës.

Mësohet se, një kamion që ishte duke ecur me shpejtësi është përfshirë në një aksident të rëndë, duke i marrë jetën shoferit dhe një punëtori, trupi i të cilit ndodhet ende nën masivin e inerteve.

Viktimat janë dy të rinj drejtuesi i kamionit shtetasi Armand Beu, 32 vjeç, banues në Kavajë dhe pasagjeri në kamion shtetasi Klajdi Kaja, 28 vjeç, banues në Lushnje. Ngjarja ka ndodhur në bypasin Orikum-Kaninë, ndërsa të rinjtë punonin në ndërtimin e këtij aksi.

Drejtuesi i kamionit së bashku me pasagjerin kishin ngarkuar kamionin me zhavor dhe ishin duke zbritur nga zona e Kaninës për në Orikum. Nuk dihet nëse ka pësuar defekt apo nuk kanë funksionuar frenat, por drejtuesi i automjetit i cili nga frika se mos dilte nga rruga dhe binte poshtë në humnere është kthyer në mes të rrugës dhe është përplasur me anën e shkëmbit.

Përplasja ka qenë shumë e fortë sa të dy trupat kanë dalë nga xhami i kamionit, dhe më pas janë mbuluar nga ngarkesa me zhavor.

“Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë më parë, ku në bypasin Orikum-Kaninë, është rrëzuar një kamion, sqarojmë se kanë ndërruar jetë drejtuesi i kamionit shtetasi A. B., 32 vjeç,banues në Kavajë dhe pasagjeri në kamion shtetasi K. K., 28 vjeç, banues në Lushnje.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe  po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”- thuhet në njoftimin e policisë.

Sikurse shihet edhe në pamjet e mëposhtme, koka e kamionit është shkatërruar plotësisht, ndërsa trupi i mjetit ka mbetur në mes një kanali anë rrugës.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Kronike bypasi i vlores Viktima