Bota25 Maj 2022, 00:37

Tragjedi në Teksas/ 18-vjeçari hap zjarr në shkollën fillore, humbin jetën 14 nxënës dhe një mësues

Shkruar nga Pamfleti
Tragjedi në Teksas/ 18-vjeçari hap zjarr në shkollën

Tragjedi në Teksas/ 18-vjeçari hap zjarr në shkollën fillore, humbin jetën 14 nxënës dhe një mësues

Teksas – 14 nxënës dhe një mësues u vranë nga të shtënat masive në një shkollë fillore në Uvalde, Teksas.

Lajmi tragjik është konfirmuar edhe nga guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, i cili theksoi se autori është një ish-nxënës, i identifikuar si Salvador Ramos 18-vjeç.

Sipas Abbott, Ramos hyri në shkollë me një pistoletë dhe një pushkë dhe nisi të qëllonte mbi të miturit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 11:32 me orën lokale dhe personi përgjegjës u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me autoritetet. Raportohet se përveç vdekjeve të konfirmuara, një numër i konsiderueshëm personash kanë mbetur të lënduar.

Spitali Memorial Uvalde konfirmoi në mbrëmje se kishte pritur 13 fëmijë të lënduar nga të shtënat në shkollën fillore “Robb” një orë larg Sant Antonios. I njëjti spital konfirmoi se dy fëmijë vdiqën, dy pacientë u transferuan në San Antonio për trajtim, ndërsa një i tretë ishte në pritje të transferimit. Edhe një 45-vjeçar është shtruar në spital pasi është goditur nga një plumb. Një tjetër klinikë raportoi se një grua 66-vjeçare është në gjendje të rëndë nga lëndimet e marra në të njëjtin incident.

Në shkollën fillore “Robb” ka nxënës që janë në klasën e dytë, të tretë dhe të katërt. Sipas Shefit të Policisë së Distriktit të Pavarur të Shkollës Uvalde, nga hetimet është zbuluar se i dyshuari “ka vepruar i vetëm gjatë këtij krimi të tmerrshëm”.

Presidenti Amerikan Joe Biden u informua për të shtënat. Për mediet, sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë Karine Jean-Pierre deklaroi se: “Lutjet e tij janë me familjet e prekura nga kjo ngjarje e tmerrshme dhe ai do të flasë këtë mbrëmje kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë”. 

Ndërkaq, në shenjë nderimi për viktimat Biden urdhëroi që flamujt të valonin në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë dhe ndërtesa të tjera publike deri më 28 maj, si dhe pritet t’i drejtohet kombit me një mesazh për tragjedinë mbrëmjen e sotme.

JUST IN: Gov. Greg Abbott gives an update on the school shooting in Uvalde. INFO: https://t.co/rhVwftZh2Y pic.twitter.com/4JSRU5FQlR

— CBS Austin (@cbsaustin) May 24, 2022

Bota Teksas Viktima