Aktualitet17 Gusht 2019, 09:33

Tragjedia e 13 katëshit, skela që mori jetën e dy punëtorëve, Policia: Shoqëruam administratorin e firmës

Shkruar nga Pamfleti

Tragjedia e 13 katëshit, skela që mori jetën e dy punëtorëve, Policia: Shoqëruam administratorin e firmës

Përfundimi i riparimit të një fasade pallati në Tiranë ka rezultuar tragjik dje për dy punëtorë që po çmontonin skelën nga kati i dhjetë. Skela është shembur duke rënë bashkë me punëtorët që ndodheshin sipër, të cilët kanë mbetur poshtë gërmadhave, duke gjetur vdekjen, ndërsa tre punëtorë të tjerë janë plagosur, duke marrë plagë të rënda në të gjithë trupin.

Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 15:00, në rrugën “Faik Konica”, që ndodhet pranë rrugës së Elbasanit, në Tiranë. Në pallatin 13-katesh po kryhej rikonstruksioni i fasadën dhe në momentin e punës është shkëputur skela në dy prej kateve të godinës, Për pasojë kanë humbur jetën dy punonjësit, Orjan Kodra, 36 vjeç dhe Ergys Brahimaj, 31 vjeç.

Ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe punëtorët Gentian Bardhi, 44 vjeç, Euglidios Lika, 34 vjeç dhe Altin Marku, 40 vjeç, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës. Burime nga Policia thanë se ata kanë marrë plagë të rënda në kokë dhe trup dhe ndodhen nën kontrollin e specializuar të mjekëve.

Njëri prej tyre do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Të njëjtat burime thanë se shkak i këtij aksidenti të rëndë në punë dyshohet të ketë qenë mungesa e sigurisë teknike. Menjëherë pas ngjarjes, Policia ka shoqëruar administratorin e shoqërisë së skelave, si dhe ka marrë në pyetje inxhinierin. Ende nuk është vendosur për arrestimin apo procedimin e tyre.

NGJARJA

Pesë punëtorët që ranë dje nga lartësia në Tiranë, kanë qenë duke bërë çmontimin e skelës nga njëra anë e pallatit 13-katesh, të cilën më pas do ta montonin në anën tjetër ku do të riparohej fasada. Gjatë kësaj kohe ka ndodhur edhe incidenti i rëndë dhe skela është shembur duke rënë poshtë bashkë me punëtorët që ndodheshin sipër saj.

Në fasadën e pallatit ka mbetur vetëm një pjesë e skelës në katin e 13-të, ndërsa e gjitha struktura tjetër ka rënë plotësisht në tokë. Ende nuk është saktësuar plotësisht nëse të gjithë punëtorët kanë rënë nga lartësia bashkë me strukturën e skelës, apo disa prej tyre janë zënë poshtë prej saj. Burimet thanë se dy prej punëtorëve janë nxjerrë nga rrënojat disa minuta pas ngjarjes dhe të dy kanë ndërruar jetë.

Ndërsa tre të tjerët janë dërguar me urgjencë në spital me plagë të shumta thuajse në të gjithë trupin. Fillimisht Policia raportoi për një viktimë, më pas konfirmoi se bëhej fjalë për dy të vdekur. Në vendngjarje kanë qenë të pranishme forca të shumta Policie dhe forca zjarrfikëse, që bënë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga rrënojat.

SIGURIA

Kreu i Konfederatës së Sindikatave në Shqipëri, Kol Nikolla, u shpreh dje se shkak për incidentin e rëndë është bërë mungesa e sigurisë në punë. “Siguria në punë ka qenë objektiv ynë për të ngritur zërin, por fatkeqësisht rastet po bëhen mjaft problematike. Është e pafalshme që gjithmonë jemi të fundit në këtë problem dhe nuk kemi asnjë person të vënë para përgjegjësisë. Shumica e kantiereve të ndërtimit janë në kundërshtim me legjislacionin e punës. Agjencitë e kontrollit nuk po kryejnë punën e tyre. Besojmë se shumë shpejt reforma në drejtësi do të japë frytet e saj dhe përgjegjësit e këtyre ngjarjeve do të marrin përgjegjësinë”, u shpreh Nikolla.

Policia: Shoqëruam administratorin e punimeve, po kryhen hetime

Policia e Tiranës në njoftimin paraprak për ngjarjen që ndodhi në rrugën “Faik Konica”, sqaroi se dy punëtorë ishin zënë poshtë nga skela dhe fillimisht është nxjerrë trupi i pajetë i njërit prej tyre. Ndërsa në një tjetër njoftim, Policia tha se bëhej fjalë për dy viktima. “Rreth orës 15:00, në Rrugën e Elbasanit, nga një ndërtesë në rikonstruksion është shkëputur një pjesë e skelës metalike. Si pasojë e shkëputjes së skelës janë dëmtuar 4 nga punëtorët, të cilët ndodheshin duke punuar pranë këtij objekti. Shtetasit G. B., 44 vjeç dhe E. L., 34 vjeç janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Dy punëtorë të tjerë i ka zënë skela poshtë dhe në këto momente është nxjerrë turpi i pajetë njërit prej tyre. Policia e Zjarrfikësja vijojnë punën për nxjerrjen e personit tjetër. Policia ka shoqëruar administratorin e punimeve për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes. Lidhur me ngjarjen, ju bëjmë me dije se shtetasit që kanë ndërruar jete janë, O. K., 36 vjeç dhe E. B., 31 vjeç”, tha zyrtarisht Policia.

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rrugën “Faik Konica”, në përfundim të veprimeve hetimore, të kryera nga ana e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në Tiranë nën drejtimin e  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrotjes në punë”, dhe konkretisht:

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit  P. S., me detyrë administrator i firmës skela “Syla”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrotjes në punë”.

Në rrugën “Faik Konica” në pallatin Nr. 2, firma “Xhimi” me administrator e Drejtues Teknik punimesh, shtetasin Xh. T., ka kryer punime në fasadën e jashtme të pallatit për veshjen me sistemin termoizolues (kapot). Po në këtë pallat, firma skela “Syla” me administrator shtetasin P. S. dhe Drejtues Teknik të punimeve e montimit të skeles Inxhinierin I. B., ka montuar skelën metalike për punimet në fasadë.

Si pasojë e punimeve në këtë pallat, rreth ores 15.00 është rrëzuar skela metalike, e për pasojë kanë humbur jetën shtetasit E.B., 31 vjeç, punëtor ndërtimi në firmën “Xhimi, si dhe shtetasi O.K, 36 vjeç, punëtor i firmes skela “Syla”.

Po nga rrëzimi i skelës janë plagosur dhe janë jashtë rrezikut për jetën, shtetasit G.B punëtor ndërtimi i firmës “Xhimi”, E.L dhe A.M, punëtor i firmës skela “Syla”.

Gjithashtu për këtë ngjarje filloi procedimi penal për veprën penale “ Shpërdorimi i detyrës “, për punonjësit e Inspektoriatit të Punës Tiranë, pasi punonjesit nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor për këta punonjës.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

codramol
smile

Aktualitet Policia: Shoqëruam administratorin e firmës skela që mori jetën e dy punëtorëve Tragjedia e 13 katëshit