Aktualitet26 Janar 2023, 10:15

Tragjedia e Gërdecit, SPAK merr në pyetje Shkëlzen Berishën

Shkruar nga Pamfleti
Tragjedia e Gërdecit, SPAK merr në pyetje Shkëlzen Berishën

Shkëlzen Berisha

Djali i ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha është paraqitur ditën e sotme në SPAK.

Mësohet se ai është thirrur për tu marrë në pyetje nga prokurori i çështjes së Gërdecit, Klodian Braho.

Edhe pse  nuk ka një informacion lidhur me këtë “vizitë” të tij, Berisha është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen tragjike të 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec, ku një magazinë demontimi armësh shpërtheu duke shkaktuar 26 viktima.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i mbylli hetimet për Gërdecin, në fillim të këtij muaji.

Kujtojmë se SPAK regjistroi procedimin penal për ish-Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, duke e marrë atë të pandehur për ngjarjen e vitit 2008 të ndodhur në Gërdec ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.

Hera e fundit që është përmendur emri i Shkëlzen Berishës në ambientet e SPAK ka qenë nga ish-ministri Aldo Bumçi po në lidhje me dosjen e Gërdecit.

Ish-ministri Aldo Bumçi  në dhjetor të 2022 u pyet nga prokurorët e posaçëm si person që ka dijeni për tragjedinë e Gërdecit.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje, Bumçi tha për mediat se kishte qënë i hapur për këtë çështje edhe më parë. Ndër të tjera, ai pohoi se shkresat e gjetura, dhe ajo për Shkëlzen Berishën që mban emrin e tij është e falsifikuar.

‘Më pyetën si person që ka dijeni për çështjen. Qëndrimet e mia janë të dokumentuara, qëndrimi im ka qënë publik. Përgjigjia e dërguar nga ne nuk ka një shënim të tillë. Kur ne i kemi çuar Ministrisë së Mbrojtjes që nuk kemi vërejtje del një shkresë që ka një shënim për zotin Shkëlzen Berisha, por kjo shkresë është e falsifikuar dhe nuk i qëndron asnjë testi. Nëse unë kisha nevoja të komunikoja me Shkëlzen Berishën do e bëja me faks. Nuk ke nevojë të çosh shkresë nga Ministria e Mbrojtjes për Shkëlzen Berishën. Ministri i Drejtësisë lë shënime për vartësit e tij me shkrim dore në qindra mijëra shkresa dhe këto shënime të miat janë në shkresa të ministrisë që kam shërbyer. Por nuk ishte as imitim i shkrimit tim, ishte një shkrim tjetër. Çështja u shqyrtua kur unë isha deputet i thjeshtë dhe kam ndërmarrë dy akte. Si përgjegjësi politike kam rreshtuar faktet dhe kam bërë kallëzim penal në atë kohë dhe kam kërkuar të hetohet kaligrafia. Nuk ka dy shkrime njësoj, por e theksoj nuk ishte as imitim i shkrimit tim.”, tha Bumçi.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.

‘Gërdeci’ në dyert e gjykatave

Gjykata e Lartë ka rrëzuar pak muaj më parë rekursin e Fatmir Mediut për të mos u hetuar.

Apeli i GJKKO, më 24 shtator 2022  mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda.

14 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu është rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre. Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.

Kujtojmë se SPAK tashmë ka rikfilluar me pyetjen e dëshmitarëve, trashëgimtarëve të viktimave dhe personat e dëmtuar nga tragjedia.

Pjesë e ripyetjes do të jenë edhe ish-zyrtaret e lartë në periudhën e tragjedisë me 15 mars 2008.

Zyrtari i parë që u mor në pyetje nga SPAK ishte ish-ministri Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Fatmir Mediu ka shkelur ligjin kur ishte ministër i Mbrojtjes duke shpërdoruar detyrën, veprime të cilat sollën tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë i plagosën.

Ky është përfundimi që ka arritur pas hetimit disa mujor, Prokuroria e Posaçme (SPAK) për ish ministrin e Mbrojtjes mbi të cilin tashmë rëndon akuza e ‘shpërdorimit të detyrës’ dhe zyrtarisht është marrë i pandehur.

Mediut i është komunikuar zyrtarisht akuza më 12 Janar nga SPAK.

Kryesore Gërdeci Shkëlzen Berisha SPAK