Bota18 Janar 2023, 14:06

Tragjedia me 18 viktima, Ukraina nis hetimet për rrëzimin e helikopterit

Shkruar nga Pamfleti

Shërbimet e Sigurisë së Ukrainës (SBU) kanë nisur hetimet për rrëzimin e helikopterit në periferi të Kievit, Brovary, që vrau 18 persona, përfshirë ministrin e brendshëm të Ukrainës.

Sipas SBU, janë duke u shqyrtuar disa versione të tragjedisë, duke përfshirë “shkelje të rregullave të fluturimit, mosfunksionim teknik të helikopterit, veprime të qëllimshme për të rrëzuar helikopterin”.

Asnjë zyrtar ukrainas nuk ka reaguar deri më tani për shkakun e aksidentit ajror. Më herët, presidenti ukrainas e quajti ngjarjen një tragjedi, në një reagim të ndjerë në Twitter.

Një helikopter është rrëzuar mëngjesin e sotëm pranë një kopshti fëmijësh dhe një ndërtese banimi në qytetin Brovary të rajonit të Kievit. Në momentin e tragjedisë fëmijët dhe edukatorët ndodheshin brenda kopështit. Për pasojë 18 persona kanë humbur jetën, mes tyre dy fëmijë dhe ministri i Brendshëm i Ukrainës, Denys Monastyrskyi.

Bota #rrëzimi i helikopterit ne Ukraine