
Tragjedia në Pukë/ Humbën prindërit dhe shtëpinë, fëmijët në mes të katër rrugëve
Mes dhimbjes dhe lotëve i është dhënë lamtumira e fundit bashkëshortëve Petrit e Dava Ndoj, të cilët humbën jetën si pasojë e flakëve që përfshinë banesën e tyre mëngjesin e të hënës.
Në ceremoninë e lamtumirës të pranishëm ishin dhe katër fëmijët e tyre të mitur, për fatin e të cilëve askush nuk di të tregojë, pasi tashmë kanë mbetur vetëm me gjyshërit e moshuar e të sëmurë dhe në rrugë, pasi banesa e tyre një ditë më parë u shkrumbua nga flakët.
Ngjarja:
Java e dytë e prillit ka nisur me një tragjedi në Pukë, e cila mund të kishte pasoja edhe më të rënda. Një zjarr i rënë rreth orës 03:45 të mëngjesit në banesën e 40-vjeçarit, Petrit Ndoj ka bërë që ka lënë të vdekur atë dhe bashkëshorten e tij, Dava Ndoj, 35 vjeçe.
Trupat e pajetë të Petrit dhe Dava Ndojit u gjetën pranë njëri-tjetrit teksa kishin tentuar të dilnin nga dhoma. Forcat zjarrfikëse të Pukës dhe Fushë Arrëzit kërkuan rreth dy orë për gjetjen e trupave nën mbetjet e zjarrit.
Fatmirësisht katër fëmijët e çiftit, të moshës 15 , 13 , 12 e 11 vjeç ndodhen në Spitalin e Pukës me dëmtime të lehta, pasi kanë mundur t’i shpëtojnë flakëve.
Ata kanë mundur të shpëtojnë sepse janë hedhur nga dritarja. Mësohet se në katin e parë të banesës ka qenë edhe gjyshërit e katër fëmijëve, të cilët kanë dalë në kohë nga banesa e përfshirë nga flakët.
Alarmin për zjarrin e ka dhënë i zoti shtëpisë 82-vjeçari Pal Ndoj, i cili kishte dëgjuar zhurmën e tjegullave. Ai dhe bashkëshortja e paralizuar po flinin po ashtu në katin e dytë të banesës, ndërsa fatmirësisht kanë arritur të dalin pa dëmtime.
Gjendja e fëmijëve dhe të moshuarve është e mirë. “Fëmijët dhe gjyshi i tyre kanë mundur të shpëtojnë pa pësuar djegie nga zjarri. Fëmijët janë të tronditur nga ana psikologjike, por nuk kanë pësuar asfiksi apo lëndime të tjera”, kanë sqaruar nga Spitali i Pukës.
Mësohet se shërbimet zjarrfikëse dhe policia ndodhen ende në vendin e ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike.
“Dyshojmë për një shkëndijë elektrike. Viktimat mund të kenë ndezur ndonjë pajisje elektrike në dhomë. Gjithsesi kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht sepse hetimet nuk kanë mbaruar”.