
Rusia ka shtyrë në mënyrë të njëanshme bisedimet për çarmatimin bërthamor me zyrtarët amerikanë në Kajro, të cilat ishin planifikuar të zhvilloheshin gjatë kësaj jave.
Mësohet se zyrtarë nga dy vendet do të zhvillonin takime në kryeqytetin egjiptian nga 29 nëntori deri më 6 dhjetor. Dy delegacionet do të diskutonin rifillimin e inspektimeve sipas traktatit të ri të reduktimit të armëve bërthamore START.
Traktati i ri START midis SHBA-së dhe Rusisë u shty vitin e kaluar edhe për pesë vjet të tjera. Qëllimi i traktatit është të zvogëlojë armët bërthamore strategjike të zotëruara nga dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.
Por edhe pse takimi dështoi këtë herë Uashingtoni është shfaqur i gatshëm të ri programojë bisedimet me Moskën në një datë tjetër.
“Uashingtoni është gati të riplanifikojë bisedimet pasi Rusia “shtyroi në mënyrë të njëanshme” bisedimet me Shtetet e Bashkuara që synonin rifillimin e inspektimeve të armëve bërthamore që ishin caktuar të zhvilloheshin në Kajro”, u shpreh Departamenti i Shtetit të SHBA-së në një deklaratë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA tha se Uashingtoni ishte gati të ricaktojë sa më shpejt të jetë e mundur takimin e Komisionit Konsultativ Dypalësh sipas Traktatit të Ri START.