Aktualitet19 Korrik 2018, 21:50

Trashëgimia Kulturore Europiane i dërgon letër Edi Ramës: Tërhiqu nga prishja e Teatrit Kombëtar!

Shkruar nga Pamfleti
Trashëgimia Kulturore Europiane i dërgon letër Edi Ramës:

Trashëgimia Kulturore Europiane i dërgon letër Edi Ramës: Tërhiqu nga prishja e Teatrit Kombëtar!

Europa Nostra, zëri i trashëgimisë kulturore në 40 vende të Europës i ka shprehur shqetësimin kryeministrit Edi Rama për atë që e cilëson si “vendim alarmues për të shkatërruar Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, një ndërtesë e trashëgimisë me rëndësi shumë të madhe kulturore dhe arkitekturore në Europë.”

Në letrën drejtuar Edi Ramës, Presidenti i Europa Nostra, prof.dr Hermann Parzinger, pasi evidenton vlerat e veçanta të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, vë në dukje se “Teatri është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës moderne italiane dhe është ndërtesa e vetme e këtij lloji që ekziston në Shqipëri.”

“Ne kundërshtojmë çdo qëndrim që kjo ndërtesë ka pak apo aspak vlera historike kulturore ose sociale. Përkundrazi! Europa Nostra beson që vlera e shkëlqyer europiane e kësaj prone publike tejkalon çdo përfitim afatshkurtër që mund të arrihet duke e shkatërruar atë.”- shprehet Presidenti i organizatës partnere të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës në fushën e trashëgimisë kulturore.

“Europa Nostra mbështet protestat kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe nuk mbështet asnjë propozim që shkatërron Teatrin ekzistues.”-thuhet në letrën për Edi Ramën.

Europa Nostra i bën thirrje qeverisë shqiptare, Bashkisë së Tiranës dhe çdo autoriteti tjetër që “të rishikojnë vendimin e tyre për të shkatërruar këtë monument europian dhe të gjejnë mundësinë e rikonstruksionit në mënyrë që Teatri aktual të përmbushë standardet”

Europa Nostra i bën thirrje kryeministrit që të përdorë pozicionin dhe ndikimin e tij për të mbrojtur Teatrin Kombëtar.

Letra që Presidenti i Europa Nostra i dërgon Kryeministrit Edi Rama vjen pas shqetësimit të shprehur nga Kryetarja e Komisionit parlamentar të Kulturës, Albana Vokshi.

Në një letër të dërguar në datën 28 Qershor 2018, zonja Vokshi kërkon mbështetjen e Europa Nostra-s për të vlerësuar situatën e krijuar dhe për ushtruar presion ndaj qeverisë, që ajo të ndalojë planin për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar./Opinion.al

 

Aktualitet Rama teatri Trashegimia kulturore europiane