
Deputetja demokrate Ilda Dhori ka ngritur një padi në Gjykatë sa i përket traut elektronik në Divjakë. Lajmin e konfirmoi vetë Dhori, teksa përmes një mesazhi në rrjetet sociale shkruan se vendimi i qeverisë është marrë në paligjshmëri të plotë.
“Prane Gjykates Administrative Shkalla e Pare,Tirane; Sapo dorezova Kerkesepadine time, si perfaqesuese e Divjakes, mbi PALIGJSHMERINE e TRAUT ELEKTRONIK, ne hyrje te Parkut dhe Plazhit te Divjakes! Me bindjen e plote se e drejta eshte me qytetaret!”- shkruan Dhori.
Vlen të theksohet se, vendosja e traut elektrik në Divjakë u shoqërua me tensione dhe përplasje mes banorëve dhe efektivëve të policisë. Krahas kundërshtive të demokratëve, vendosja e traut është konsideruar një veprim i paligjshëm edhe nga deputeti socialist Erion Braçe.
Ndërtimi i biletarisë nga Ministria e Turizmit u kundërshtua fillimisht nga Bashkia Divjakë, por në fund ata u tërhoqën për t’i hapur rrugë projektit të ministrisë. Sipas vendimit të ministrisë çdo makinë që futet në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, duhet të paguajë 150 lekë dhe çdo njeri që futet në këmbë apo me biçikletë duhet të paguajë 50 lekë.