Aktualitet 4 Maj 2022, 17:16

Tre qentë

Shkruar nga Pamfleti
Tre qentë

Tre qentë

Shohim që shtohen dita -ditës  qentë e gjuetisë, zagarë, siç thuhet rëndom. Qen që “lehin” për interes të ngushtë të zotit apo për interes të gjerë të pushtetit, por jo për interes të publikut. Këta qen janë të rrezikshëm për shkak se jo vetëm lehin, por edhe kafshojnë ku mundin e sa të mundin… Por më të rrezikshëm se zagarët është raca e koneve, ose qentë e “zbutur” të shtëpisë

Shkruan Lutfi Dervishi

Qeni roje, zagari dhe konja

1.Presidenti Regan,  për të treguar dallimin mes lirisë së shtypit në Amerikë me vendet e tjera të bllokut komunist tregonte shpesh këtë anekdodë:

Një herë u bën bashkë tri qen, një qen amerikan, një qen polak dhe një qen rus. Ata nisën të tregonin,  si ishin punët në vendet e tyre. Qeni amerikan tha: në këtë vend ti mund të lehësh lirisht, dhe nëse leh mjaftueshëm dikush do të kalojë dhe do të jap një copë mish. Në këtë moment qeni polak ndërhyn dhe pyet:

– Çfarë është mishi?

Ndërsa qeni rus i shtangur pyet:

– Çfarë është lehja?

2.Për median në mënyrë metaforike thuhet se roli i saj kryesor është ai i qenit roje. Qeni që duhet të lehë dhe të ruajë shtëpinë e demokracisë.

Media si pushtet i katërt duhet të ruajë tre pushtet e tjera (qeverinë, parlamentin dhe gjyqësorin), duhet të “lehë” kur sheh se po prishet “kontrolli dhe ballanca” dhe si qen roje i publikut duhet të garantojë se po rri me veshët ngritur dhe sytë katër sa herë pikas shkelje të ligjit dhe interesit publik.

Me “lehjen” e tij qeni sinjalizon shoqërinë dhe institucionet që diçka nuk shkon, diçka duhet ndrequr dhe diçka duhet bërë ndryshe.

Por në Ballkan dihet që qeni nuk leh ndaj atij që e ushqen dhe po ashtu hesht kur para tij kalon dikush që e njeh.

Me kalimin e kohës  qentë roje po vijnë drejt zhdukjes dhe me shpejtësi  është duke u shtuar një racë tjetër qensh që ngjajnë me qenin roje vetëm nga e lehura.

Shohim që shtohen dita -ditës  qentë e gjuetisë, zagarë, siç thuhet rëndom. Qen që “lehin” për interes të ngushtë të zotit apo për interes të gjerë të pushtetit, por jo për interes të publikut. Këta qen janë të rrezikshëm për shkak se jo vetëm lehin, por edhe kafshojnë ku mundin e sa të mundin…

Por më të rrezikshëm se zagarët është raca e koneve, ose qentë e “zbutur” të shtëpisë; atyre nuk u lejohet të lehin, mbahen vetëm për të hequr stresin dhe për të argëtuar të zotët. Ata nuk lehin kurrë ndaj të fortit, të gjithpushtetshmit, ndaj keqbërësit. Janë krejt ndryshe nga qeni roje që edhe pse këlysh nuk e ndaloi të lehurën kur para tij kalonin luanët edhe pse gjithë qentë e tjerë u fshehën në kolibe.

Kur u larguan luanët, qentë që kishin ndenjur me bisht ndër shalë,  me shpoti i thanë qenit që lehu gjithë kohën.

-Ke lehur aq shumë sa luanët u trembën prej teje dhe ikën….

– Për të tremb nuk besoj se i kam trembur, por për të lehur, kam lehur sa kam mundur.

Forum Lutfi Dervishi Tre qentë