Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se gjatë ditëve të fundit, ai ka bërë udhëtim me çarter privat.
Sipas kryedemokratit, kostoja e udhëtimit të tij është 120 mijë euro, por nuk e ka zbuluar destinacionin se ku ka shkuar kreu i qeverisë.
Nga Korça ku zhvilloi një takim me demokratët, Basha tha se Trekëndëshi shpik dhe shpif nga mëngjesi deri në darkë për të harruar aferën korruptive të incineratorëve dhe që shqiptarët mos e marrin vesh se ku shkojnë lekët që i marrin nga xhepat.
“Politikanët nuk janë poetë, as aktorë që të kalojnë më shumë kohë në Facebook dhe televizorë apo tik-tok. Ata duhet të jenë shërbëtorë dhe misionarë. Pak a shumë si shërbëtorët e zotit. Kush futet në politikë duhet të ketë minimalisht moralin. Që të ndodhë kjo, gjëja e parë që duhet të bëjmë është që ata që ju përfaqësojnë të jenë të votuarit tuaj. Do bëjmë të mundur që pushteti të shërbejë afër njerëzve. Pra reforma zgjedhore, e dyta është reforma territoriale. Kemi biseduar shpesh për katastrofën që ka shkaktuar përqendrimi i pushtetit lokal. E bënë gjoja që të ulin shpenzimet me 60 mln euro. Nuk është reformë, nuk është për t’i shërbyer njerëzve, për t’ia rrëmbyer njerëzve.
Në vend që liria e fituar në 1990 të fillojë të zgjerojë hapësirat, ajo ka filluar të tkurret. Shtypen intelektualët. Goditet shtresa e mesme. Goditet fermeri. Asfiksohet rinia, largohet nga vendi sepse regjimet autokritike e kanë frikë pasionin e rinisë. Goditet opozita duke bërë pakte të hapura ose të nëndheshme. Pakte që janë e shkuar. Një kulturë e linçimit, urrejtjes, intrigës ndaj çdokujt që i bie ndesh këtij plani për ta mbajtur Shqipërinë në duart e disa personave. Sot është një ditë e vështirë. Sepse edhe brenda familjes tonë kanë dalë një pakicë, siç u tha këtu, përfituesish mbi sakrificat e demokratëve, që për hir të interesit personal, duan të shkelin mbi sakrificat e demokratëve.
Duan të na çojnë pas, të na asgjësojnë shpresën e shqiptarëve për ndryshim. Dhe për të bërë këtë nuk kursejnë asgjë kundër demokratëve. Kanë shkuar më tej se kundërshtari politik, nga sulmet virtuale dhe fizike që bëjnë. Sot fokusi duhet të ishte tjetër kund. Ai shërbehet Shqipërisë? A nuk duhet të flisnim sot, të buçiste Shqipëria që para disa ditësh kryetari i qeverisë ka marrë çarterin dhe ka udhëtuar diku, dhe që i ka kushtuar minimumi 120 mijë euro një fluturim. Duan të harrohet afera e inceneratorëve.
Dy prej personave kyç që mund të çojë pas hekurave qeverinë, janë në kërkim. Por trekëndëshi i Bermudës bën teatër, shpif dhe shpik nga mëngjesi deri në darkë, që të mos merremi me korrupsionin. Sa herë kam qenë këtu në universitetin e Korçës ku bukuria e rinisë korçare, është e pranishme sa herë kam qenë… Jam i lumtur shumë për mbështetjen tuaj. Nuk tërhiqem asnjëherë pas. Shpifjet që bëjnë ndaj jush, për të gënjyer shqiptarët, ato le t’i bëjnë 100 fish ndaj meje se asgjë nuk më bëjnë, më të fortë më bëjnë” – tha Basha.