Presidenti Ilir Meta ka sulmuar ashpër kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, pas akuzave të këtij të fundit se Presidenti është bërë pjesë e “trekëndëshit të Bermudës”, krahas Edi Ramës dhe ish-kreut të PD-së, Sali Berisha.
Përmes një konference për mediat, Meta deklaroi se Lulzim Basha nuk ka denjuar të regjistrohet në KQZ për zgjedhjet vendore të 2019, për të cilat presidenti shfuqizoi dekretin për 30 qershorin, duke i zhvendosur ato më 13 tetor me dakordësinë e kryedemokratit.
“Presidenti pas vlerësimit të rrethanave pak minuta para fillimit të protestës së opozitës bëri publik vendimin e tij për të shfuqizuar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit për anulimin e tyre. Presidenti me autoritetin e tij kushtetues pas analizoi situatën e krijuar në vend mori këtë vendim për ti dhënë një rrugëdalje Bashës dhe opozitës por edhe të gjithë aktorëve politik në vend për të dialoguar për një datë për zgjedhjet. Ku vendim nuk ishte lehët për mua aq më tepër, dhe aq më tepër me kryeministrin i cili nuk mund të ishte i lumtur për një vendim të tillë. Të mos harrojmë që në të 7 protesta e mëparshme dhjetëra qytetarë kishin pësuar lëndime të rënda. Pas anulimit të 30 qershorit bëra përpjekje në mënyrë që të caktonim një datë të re ku të merrnin të gjitha forcat politike pjesë. Presidenti më pas miratoi dekretin për përcaktimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Pas dekretimit veprimi më minimal që duhet të kryente Basha ishte të paraqiste në KQZ kërkesën për regjistrimin e zgjedhjeve të 13 tetorit. Por çfarë ndodhi realisht? Rezulton zyrtarisht nga KQZ se Basha dhe PD nuk kanë bërë asnjë kërkesë zyrtare pranë KQZ për tu regjistruar si subjekt konkurrues”, tha Meta.
Po ashtu, Meta deklaroi se në Gjermani Basha i është lutur që të anulojë zgjedhjet dhe të anulojë protestën e 8 qershorit, protestë e cila do të përshkallëzonte konflikte të dhunshme në vend, pasi nuk do të kontrollonte dot popullin dhe iu frikësohej përgjegjësive ligjore për dhunën.
‘Presidenti ka zgjedhur rrugën e transparencës përmes bërjes publike të fakteve të vërteta. Lulzim Basha në daljen publike të radhës pas shpikjes së trekëndëshit të Bermudës, por edhe më me intesitet është shprehur se i ka ofruar mbështetjen Presidentit të Republikës… Sipas disa fakteve që do të bëj publike, kjo është një gënjeshtër e madhe për mosmarrjen pjesë ne zgjedhjet vendore të 2019. Siç jeni në dijeni presidenti kishte caktuar datën 30 qershor. Sa më shumë afrohej data 30 qershor aq më shumë rritej tensioni. Gjuha e përdorur tregonte se Shqipëria të rrezikonte sigurinë publike dhe kombëtare, si dhe paqen në vend. Në ditët që i paraprinë kësaj proteste të paralajmëruar si protesta që do të bëhej hataja, gjatë kësaj proteste do të përdorej dhunë e pakontrolluar. Presidenti i Republikës ndodhej jashtë vendit. Lulzim Basha erdhi në Gjermani dhe ju lut Presidentit, edhe në prezencë të personave të tjerë, duke u përgjëruar me lot në sy që të anulonte protestën e opozitës e të shtynte zgjedhjet. Protesta që vet Basha kishte organizuar do të degradonte në dhunë dhe se Basha nuk e kontrollon dot popullin opozitar dhe do të merrte pasojat. I trembur përballë popullit opozitar, të cilin dhe gënjente, i frikësuar nga përgjegjësitë ligjore.‘- tha Meta.