Ekonomi21 Tetor 2018, 08:54

Trendi i ri i emigracionit rrit më tej remitancat

Shkruar nga Pamfleti
Trendi i ri i emigracionit rrit më tej remitancat

Trendi i ri i emigracionit rrit më tej remitancat

Vitet e fundit, si rezultat i tendencave të reja migratore të shqiptarëve në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore, duke sjellë në këtë mënyrë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptare në Perëndim, vërehet një tendencë pozitive e remitancave, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejte me këto lëvizje migratore dhe suportin e emigrantëve për familjet e tyre në Shqipëri, tha Elton Çollaku, Drejtor Ekzekutiv i Unionit Financiar.
Ai tha se 25% e familjeve në Shqipëri kanë varësi direkte nga remitancat, duke përmendur faktin që kompania përfaqësuese e Western Union në Shqipëri, që prej 1995, ka luajtur dhe luan rol të rëndësishëm në mundësimin e procesit të transferimit të remitancave nga vendet ku janë vendosur bashkatdhetarët.

Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me ecurinë e remitancave për vitet në vijim?

Në parim, si fenomen i lidhur në mënyrë të padiskutueshme me emigracionin, ecuria e remitancave lidhet drejtpërdrejt me trendet migratore të një vendi, ku nivelet e larta të emigrimit shoqërohen me flukse monetare remitancash, të cilat dërgohen nga emigrantët për të mbështetur familjarët dhe të afërmit në vendet e origjinës.

Ndërkohë, me kalimin e viteve dhe me inkuadrimin e kësaj kategorie (emigrantëve) në jetën dhe shoqërinë e vendit ku kanë emigruar vërehet një lloj stabiliteti i remitancave dhe madje rënie të tyre me kalimin e viteve (zakonisht ky është një cikël 10–15-vjeçar).

Në këtë kontekst, edhe në Shqipëri trendi i remitancave “ka ndjekur” parimin e mësipërm. Vitet e fundit, si rezultat i tendencave të reja migratore të shqiptarëve në drejtim të vendeve të Europës Perëndimore, duke sjellë në këtë mënyrë edhe një “rifreskim” të diasporës shqiptarë në Perëndim, vërehet një tendencë pozitive e remitancave, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me këto lëvizje migratore dhe suportin e emigrantëve për familjet e tyre në Shqipëri (shifra këto të konfirmuara tashmë edhe nga statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë).

Në opinionin tim, referuar edhe përvojave të tregut, edhe në vitet në vijim, si rrjedhojë e fenomenit të mësipërm do të vijojë të ketë një trend pozitiv dhe/ose të qëndrueshëm të flukseve të remitancave në vend.

Sa të rëndësishme kanë qenë ato për ekonominë e vendit në gjithë këto vite tranzicioni?

Remitancat kanë luajtur dhe ende vijojnë të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendit tonë. Mjaftojmë të përmendim në këtë pikë nivelin e konsiderueshëm të remitancave në GDP-në e Shqipërisë përgjatë viteve apo faktin që ende rreth 25% e familjeve shqiptare varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga remitancat, pra nga mbështetja që ju dërgohet në mënyrë të rregullt prej të afërmve të tyre në emigracion, për të kuptuar rëndësinë dhe rolin e padiskutueshëm të tyre në ekonominë e vendit në periudhën e tranzicionit.

Studime vendase dhe ndërkombëtare kanë vërtetuar se remitancat në 10 vitet e fundit kanë qenë përafërsisht sa 9% e PBB-së së vendit, ndërsa para vitit 2008 ky kontribut ka qenë edhe më i lartë. Gjatë periudhës së tranzicionit, remitancat kanë qenë një kontributor i fuqishëm në bilancin e pagesave. Flukset e dërgesave deri në mes të viteve 2000 kanë qenë më të larta se Investimet e Huaja Direkte dhe eksportet.

A keni të dhëna për shpërndarjen e tyre, cilët janë përfituesit kryesorë?

Në mënyrë të padiskutueshme, përfituesit kryesorë të remitancave janë familjarët dhe të afërmit e emigrantëve këtu në Shqipëri. Sikurse e përmenda edhe më sipër, remitancat janë një burim i rëndësishëm (dhe në shumë raste i vetëm) i të ardhurave për një numër të madh familjesh në Shqipëri, të cilat janë edhe përfituesit kryesorë të këtyre fondeve.

Në këtë kuadër më vjen mirë të përmend faktin që kompania jonë, përfaqësuese e Western Union në Shqipëri që prej 1995, ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në mundësimin e procesit të transferimit të remitancave nga vendet ku janë vendosur bashkatdhetarët tanë në botë për në Shqipëri, duke ju ofruar dhe duke ju mundësuar një shërbim të shpejtë, të sigurt, të besueshëm dhe ekonomik në çdo kohë dhe çdo zonë të Shqipërisë.

A keni të dhëna se për çfarë i përdorin më së shumti shqiptarët që jetojnë këtu remitancat?

Referuar edhe vlerave mesatare të remitancave të dërguara në Shqipëri, destinacioni primar i tyre shkon për të mbuluar shpenzimet e përditshme të familjeve pritëse (ushqim, veshmbathje, ilaçe etj.) ndërkohë që një pjesë e tyre edhe mund të kursehet për të përmbushur qëllime të natyrave të tjera si arsimi, përmirësimi i ambienteve të banimit etj. Në vija të përgjithshme, këto konfirmohen edhe nga studime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare që janë kryer për këtë qëllim.

Cilat zona gjeografike të vendit kanë varësi të lartë nga prurjet. Si ka ndryshuar tendenca gjatë viteve në qytete të ndryshme, duke parë ecurinë e degëve të Western Union?

Shpërndarja gjeografike e remitancave, në vija të përgjithshme, ndjek tendencat e vendosjes së popullsisë në qytetet shqiptare dhe si rrjedhojë, volumet e remitancave sipas qyteteve ndjekin pak a shumë këtë shpërndarje.

Në këtë kontekst, Unioni Financiar ka ndjekur një politikë zgjerimi të rrjetit të shërbimit Unionet – Western Union në mënyrë që t’i mundësojë popullsisë, pavarësisht ku ajo ndodhet, akses sa më të gjerë në shërbimin e remitancave, duke ofruar shërbimet e tij në të gjithë territorin e vendit, si në zona urbane ashtu dhe në ato më rurale.

Në këtë kuadër, Unioni Financiar Tiranë ka ngritur themelet dhe vijon aktivitetin, duke respektuar standardet më të larta të shërbimit, duke ju gjendur pranë familjeve edhe bizneseve në Shqipëri, në ditë të mira e të vështira, në përmbushjen e nevojave të tyre, duke luajtur rol domethënës edhe në gjallërimin e ekonomisë së Shqipërisë dhe krijimin e një ambienti më të favorshëm jetese për qytetarët shqiptarë./Monitor

Ekonomi emigracioni remitancat