Aktualitet 6 Nëntor 2022, 12:53

Trifon Murataj ende në arrati, Gjykata lë në qeli administratorin dhe dy punonjësit e skanerit

Shkruar nga Pamfleti
Trifon Murataj ende në arrati, Gjykata lë në qeli administratorin

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë për tre të arrestuarit në Portin e Durrësit, ku u kap 33.5 kg kokainë në kontejnerin e ‘BanaKing’. Mësohet se Gjykata ka dhënë “arrest me burg” për 45 ditë për punonjësit e skanerit në port, Alban Naziraj e Artur Sevdaraj, si edhe administratorin Petrit Demisha.

Pas tre ngarkesave me afro 2 ton kokainë të ardhura në Portin e Durrësit brenda vitit 2022, mbrëmjen e 3 nëntorit në kontejnerët e “Bana King” u kapën dhe 33.5 kg të tjera lëndë narkotike të futura në Shqipëri nga krye-trafikanti Trifon Murataj. Pas kapjes së kokainës, agjentët e SPAK mësynë në Portin e Durrësit duke deklaruar, se është shpallur në kërkim krye-trafikanti pronar i “Bana- King”, Trifon Njazi Murataj, ndërsa ministri Bledar Cuçi përgëzoi policinë dhe e quajti sukses kundër narkotikëve.

Por si ndodhi ngjarja?

Policia vuri në pranga administratorin Petrit Demishaj dhe 2 punonjësit e skanerit Alban Naziraj dhe Artur Sevdaraj, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Falsifikim kompjuterik”. Sipas grupit hetimor, këto persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar trafikimin e sasisë prej 33.5 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri. Administratori Petrit Demishaj kishte si detyrë që të priste ngarkesën me banane në Port, brenda së cilës ishte dhe sasia e kokainës. E ndërsa pjesë e këtij grupi ishin bërë edhe 2 punonjës të skanerit në Port, Alban Naziraj 48 vjeç (operator skaneri) si edhe Artur Sevdaraj 48 vjeç (imazhier skaneri).

Këto të fundit në bashkëpunim me njëri tjetrin ia dolën që të nxirrnin të pastër në skaner kontejnerin ku ishte sasia e drogës. Mirëpo, anti-droga shqiptare kishte pasur informacione për sasinë e drogës që kishte mbërritur, për këtë arsye bëri kontrolle fizike me qen, ku arritën të zbulonin kokainë e fshehur në 31 pako në 2 arka bananesh të ‘BanaKing’.

Nga ana tjetër, ky version i policisë është hedhur poshtë nga kompania që merret me skanimin e kontejnerëve në Portin e Durrësit,  “S2 ALBANIA”. Përmes një deklarate për shtyp, Presidenti i “S2 Global”, Jonathan Fleming sqaron se imazhet e skanerit nuk ka mundësi që të manipulohen, sepse pasi skanohet kontejneri, imazhet futen automatikisht në server dhe më pas nuk ka asnjë mundësi për t’i ndryshuar. Kompania pretendon se droga nuk ka qenë në kontejner gjatë momentit të skanimit, dhe se ajo mund të jetë futur më pas.

Aktualitet #Bana King #trifon murataj drogë gjykata kronike