Tritoli ka tronditur sërish Fushë-Krujën mbrëmjen e kësaj të premte. Një shpërthim me eksploziv është regjistruar në derën e banesës se Naim Stafukës, vëllai i Enver Stafukës i cili rezulton i zhdukur që nga viti 2015.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:05, ndërkaq nga të dhënat paraprake bëhet me dije se nuk ka persona të lënduar.
Mësohet se, lënda plasëse është vënë në derën e shkallëve të objektit tre katësh ku ka disa biznese, por në katin e 3 banon Naim Stafuka me familjen. Nga shpërthimi ka vetëm dëmtim të derës së dyqanit.
Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe vijon punën për verifikimin e rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e autorëve.
Vlen të theksohet se, rreth dy javë më parë iu bë atentat Klodjan Stafukës, i afërm i Naim dhe Enver Stafukës.
Njoftimi i policisë:
Krujë/Informacion paraprak
Rreth orës 22:05, në Fushë Krujë, në derën e dyqanit të shtetasit N.S, është vendosur një sasi lënde plasëse, ku nga shpërthimi ka vetëm dëmtim të derës së dyqanit.
Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe vijon punën për verifikimin e rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e autorëve.