Kosova 4 Tetor 2019, 17:21

Tronditet Kososva dy ditë para zgjedhjeve, publikohen audio-incizimet që përfshijnë Pacollin në aferat e Rrahim Hashimit

Shkruar nga Pamfleti
Tronditet Kososva dy ditë para zgjedhjeve, publikohen audio-incizimet

Tronditet Kososva dy ditë para zgjedhjeve, publikohen audio-incizimet që përfshijnë Pacollin në aferat e Rrahim Hashimit

Insajderi ka siguruar audio-incizimet e një afere tjetër, nga shumë të tilla që ka pasur Rrahim Hashimi,  ortaku i biznesmenit dhe nënkryetarit të Prishtinës, Selim Pacolli. Në këto incizime shpalosen përpjekjet e grupit të Hashimit, në të cilat përfshijnë edhe Pacollin, për t`i marrë ryshfet një biznesmeni për t`i aprovuar një kredi të madhe në Bankën Ekonomike, në pronësi të Behgjet Pacollit.

Personazhi i videove të famshme rreth ryshfeteve për Spitalin privat afër QKUK-së, Rrahim Hashimi shfaqet edhe një herë në një aferë tjetër. Kësaj radhe afera lidhet me aprovimin e një kredie të madhe për një biznesmen në Bankën Ekonomike, ku hisen më të madhe të aksioneve e ka Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Në këtë bankë, pas Behgjet Pacollit me 34 % të aksioneve, në radhë vjen Selim Pacolli, me 18 % të aksioneve. E biznesmenit të përmendur në këto audio-incizime që i ka siguruar Insajderi dhe do t’i publikojë të plota, i premtohet që do t`i miratohet një kredi e madhe nga banka e Pacollëve.

Por, para kësaj ai duhej të paguante para të tjera ryshfet, dhe këtu hyn në lojë Rrahim Hashimi, ortaku i Selim Pacollit, nënkryetarit të Prishtinës.

Derisa, Rrahim Hashimi po përballet me drejtësinë edhe për afera të tjera, përfshirë edhe rastin për të cilin u arrestua biznesmeni kosovar me famë prej mafiozi ndërkombëtarë, Ismet Osmani-Curri, Selim Pacolli në anën tjetër ka konfirmuar që ka marrë pyetjet e Insajderit për ta komentuar përfshirjen e tij në këtë aferë. I njëjti, deri  më tani nuk është përgjigjur.

Afera në të cilën përfshihet Selim Pacolli, përmes Rrahim Hashimit lidhet me një kërkesë për kredi që ishte bërë për biznesmenin Shaban Neziraj, pronari i “Vëllëzërit Neziraj”, një kompani që për aktivitet bazë e ka tregtinë me shumicë të kafshëve të gjalla si dhe prodhimin e mishit për nevojat e tregut.

Në një bisedë prej 20 minutash në tavolinë, që është një incizim në një ambient të zhurmshëm, palët flasin për shifra milionëshe të qarkullimit të parave dhe aty flitet që edhe kërkesa për kredi në Bankën Ekonomike do të jetë deri në 1 milion euro.

Por, për t’u proceduar kjo kredi, Rrahim Hashimi kërkon direkt nga biznesmeni Shaban Neziraj që të jepen ryshfet 10-20 mijë euro, varësisht prej momenteve kur zhvillohen takimet dhe bisedat. Për këtë aferë janë zhvilluar disa takime, pjesa më e madhe e të cilave janë incizuar.

“Herën e parë ka ardhur Aliu i ka paguar, herën e dytë tha Shabani kur e bën komisionin diçka tha i qeras, e qysh është me i qeras, e lëmë takimin me Selimin (Pacolli). Thirri, tha jam duke ardhur me Selim Pacollin”, dëgjohet në këto përgjime, që folësit nuk identifikohen qartë.

Në këto përgjime të përfshirët në aferë flasin edhe për takime që vetë nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli ka zhvilluar me biznesmenin Neziraj.

“Selimi tha: Shaban po të bëjë një takim me Fatosin (Fatos Krasniqi, drejtor në Bankën Ekonomike), edhe Selimi nuk e bëri takimin me Fatosin, po ka ardhur me vëllain (nuk tregohet me cilin vëlla) e me Fatosin në Deçan, për hir të asaj që më tha se e kam shok, në sy i ka thënë ‘jam dorzan i Shabanit, prej aty asnjë gjë nuk e bën pa mua’”, zbulohet tutje në audio-inçizim.

Aty bëhet me dije po ashtu se punën e kësaj kredie ky grup, ku përfshihet edhe Selim Pacolli, nuk donin ta bisedonin në zyrat e Bankës Ekonomike, por më shumë e kishin lënë që të diskutohej si aferë nëpër restorante e kafeteri.

“Selimi i ka thënë: Fatos ‘ne kemi ardhur që të bisedojmë për biznes, unë s’kam të bëjë, ty t‘kam bërë drejtor, unë jam pronari i saj”, thuhet më tej në audio-inçizim.

Në takime të tjera, ku kryesisht dëgjohet duke folur ortaku i Selim Pacollit, Rrahim Hashimi, ky i fundit u thotë që kredia prej 1 milion eurosh është gati, por duhet të jepet ryshfeti.

Por, ankesa e vetme e biznesmenëve, që duket se ishin gati të jepnin edhe ryshfet për këtë kredi, ishte mungesa e sigurisë dhe besimit tek ortaku i Selim Pacollit, sekseri Rrahim Hashimi.

“A i kishe dhënë ti 20 mijë euro pa ditur asgjë? A i kishe dhënë?”, ankohet biznesmeni Neziraj te Hashimi, derisa sekseri Rrahim Hashimi i garanton: “O n’Zot po t’bëjë be që është e kryer”.

Për ta bindur edhe më shumë biznesmenin Shaban Neziraj, sekseri Rrahim Hashimi në bisedë përmend edhe punën e gjakut. “Në krye po të bëjë be edhe tre djemtë, nëse s’del kështu ta kam borxh një gjak”.

Insajderi ka pritur për disa javë që të marrë një koment nga Selim Pacolli për përfshirjen e tij dhe bankës ku ai ka aksione në këtë aferë, si dhe për të treguar epilogun e kësaj kërkese për kredi, nëse biznesmenit Neziraj iu dha ajo me apo pa ryshfet, por ai nuk ka kthyer përgjigje në asnjërën nga pyetjet.

Në dokumentarin e InDoks, “Mafiozi Shqiptar”, që është një hulumtim për figurën e Ismet Osmanit-Currit, është publikuar edhe një profil i Rrahim Hashimit.

Por, kush është në fakt Rrahim Hashimi?

Vetëm në agjencinë e bizneseve ai figuron si aksionar në së paku 9 kompani. Njëra prej tyre është “ILLYRIAN POWER”, ku ai ishte ortak në të me Selim Pacollin.

Në aferën e kredisë për biznesmenin Shaban Neziraj, përmendet edhe Nasim Haradinaj. E seskeri Rrahim Hashimi, bashke me Korab Rexhepin, Ilir Gjelin kanë të regjistruar një biznes edhe me Nasim Haradinajn, Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, firmën “West Investigation & Advisory”. Nasim Haradinaj kishte thënë se kjo është një kompani që do të ndërtojë qendra për pleq dhe udhëhiqet nga Shkëlzen Mulaj, biznesmen që jeton në Zvicër.

Lidhjet e Rrahim Hashimit janë shumë teë thella në shtet. Ai ishte akuzuar kohë më parë bashkë me ish-shefin krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, që aktualisht drejton stacionin e policisë në Ferizaj. Beqiri e Hashimi akuzoheshin në lidhje me aferën e korrupsionit në hetimin e organizatës joqeveritare QAD. Rrahim Hashimi ishte arrestuar nën dyshimin se ka kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në këtë rast penal. Këto vepra ishin hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit.

Rrahim Hashimi në kompaninë e basteve, “Kosova Bet” është ortak edhe me Ajaks Boshnjaku, që ka lidhje miqësie me Ervin Matën, partneri i këngëtares Elvana Gjata. Boshnjaku është në mesin e të dyshuarve në një ngjarje në ish-Bllok në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe dy të tjerë u plagosën në 4 tetor të vitit 2018.

Rrahim Hashimi u bë i njohur në publik edhe me videot ku ai bashkë me Kadri Rexhepin bënin punën e sekerit te biznesmeni Faton Dalladaku për një licencë që atij i duhej për Spitalin Amerikan që është shumë afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ata në këto video, që i ka publikuar edhe Insajderi, flasin në emër të Kadri Veselit e Xhavit Haliti, derisa dy të fundit kanë mohuar çdo lidhje me ta. /Insajderi

 

https://video.gjirafa.com/audio-incizimet-qe-e-perfshijne-selim-pacollin-ne-aferat-e-rrahim-hashimit-pjesa-e-pare

 

https://video.gjirafa.com/audio-incizimet-qe-e-perfshijne-selim-pacollin-ne-aferat-e-rrahim-hashimit-pjesa-e-dyte

 

https://video.gjirafa.com/audio-incizimet-qe-e-perfshijne-selim-pacollin-ne-aferat-e-rrahim-hashimit-pjesa-e-trete

Prishtine aferat e Rrahim Hashimit audio-incizimet nënkryetari i Prishtinës Selim Pacolli