
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Malin e Zi, pasi një person ka vrarë 11 persona dhe ka plagosur disa të tjerë.
Sipas mediave vendase, një 34-vjeçar ka hapur zjarr ndaj qytetarëve në Cetinje duke shkaktur tragjedi.
Dëshmitarët kanë thënë se i riu ka lëvizur në të gjithë lagjen dhe qëllonte me armë zjarri ndaj personave që shihte. Nga të shtënat, deri tani raportohen 11 viktima dhe rreth 6 të plagosur. Mes të plagosurve ka mbetur dhe një efektiv policie. Po ashtu dhe autori ka mbetur i vdekur.
Sipas autoriteteve, 34-vjeçari fillimisht ka vrarë fqinjën e tij dhe fëmijët e saj. Më pas mori në telefon burrin e fqinjës së vdekur dhe e informoi mbi atë se çfarë kishte bërë. Më tej ai me armë gjahu ka qëlluar ndaj fqinjëve të tjerë dhe kalimtarëve në rrugë.
Për pasojë 9 persona gjetën vdekjen në vend, ndërsa 2 vdiqën rrugës për në spital. Ndërkohë 6 të tjerë janë të plagosur. Mes 11 viktimave, 2 janë fëmijë. Fillimisht u tha se autori u vra nga policia, por sipas mediave malazeze, ai është qëlluar për vdekje nga një banor i lagjes, i cili ka ndalur vijimin e tragjedisë.
4 prej të plagosurve janë shtruar në spitalin e Cetinjës, ndërsa disa janë transportuar në Qendrën Klinike në Podgoricë. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.
Ivan Ivanoviç, drejtori i spitalit të Cetinjës, tha për TVCG se dy personat të cilët janë shtruar në atë institucion janë jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se i riu ka qëlluar edhe ndaj fëmijëve dhe mes viktimave dyshohet se ka dhe të mitur.
Mediat shkruajnë se të shtënat kanë zgjatur për një orë dhe banorët e kanë cilësur si tepër të frikshme ngjarjen. I riu dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu.
Më pas reaguan dhe politika dhe autoritetet. Kryeminsitri Abazoviç shpalli 3 ditë zie.