Bota29 Korrik 2022, 13:19

Tronditet politika italiane, Rusia urdhëroi rrëzimin e qeverisë së Mario Draghit

Shkruar nga Pamfleti

Politika italiane është tronditur sot nga një lajm i publikuar nga gazeta e përditshme “La Stampa”.

Matteo Salvini ka vepruar sipas urdhrave ruse për të destabilizuar Italinë, shkruan gazeta, ndërsa lideri i Lidhjes ka thënë  se është një fake news.

Në ballinën e saj  La Stampa mban lajmin; “Rusët, njeriut të Salvinit: tërhiq ministrat”!

Artikulli, sipas gazetarit që e ka shkruar mbështetet në dokumentet e shërbimeve sekrete që kjo gazetë ka mundur të lexoj e që flasin për një takim të një emisari të liderit të Partisë Lidhja, Matteo Salvini me një funksionar të lartë të Ambasadës Ruse në Romë, Oleg Kostyukov, në maj të 2022.

Në bisedën e tyre funksionari rus Oleg Kostyukov, pyet Antonio Capuano, këshilltarin për marrëdhëniet ndërkombëtare të liderit të Lidhjes, “nëse ministrat e tyre a kanë në plan të tërhiqen”.

Kjo deklaratë e tij sipas medias italiane është një akt i interesit rus për destabilizim e Italisë.

Akuzat e “La Stampa”, shkojnë më tej e flasin se Oleg Kostyukov, nëndrejtues i zyrës politike të Ambasadës Ruse,  do të blej në rubla dhe biletën e udhëtimit të pak javëve më parë të Matteo Salvinit me destinacion Moskën, udhëtim që dështoi pas polemikave politike ndaj kësaj iniciative.

Gjithcka ka ndodhur, është dokumentuar sipas medias italiane në dokumentet sekrete të inteligjencës në data 26 e 27 maj 2022.

Në të njëjtën ditë Mario Draghi zhvillon bisedë telefonike me Putin për të zhbllokuar krizën e grurit ukrainas e nga ana tjetër, Rusia përmes Ambasadës në Romë veprojnë me Lidhjen për të destabilizuar Italianë.

Kjo ngjarje e rëndë ka shkaktuar polemika të forta e reagime nga të gjitha forcat politike.

Partia Demokratike e Italia Viva kanë kërkuar thirrjen e COPASIR , Komiteti parlamentar për Sigurinë Kombëtar, që të hetoj mbi ngjarjen.

Po ashtu dhe ministri i jashtëm Luigi Di Maio i ka bërë thirrje publike Matteo Salvini të sqaroj këtë raport të tij me Moskën.

E aleatja e Salvinit në këtë prag zgjedhjesh elektorale, Giorgia Meloni shprehet se qëndrimi i Fratelli d’Italia është pa asnjë dyshim në krah të Kiev. “Jemi e do të jemi në mbështetje të plotë me popullin ukrainas”, thotë ajo.

Ndërsa vetë Matteo Salvini i ka quajtur fake news, artikullin e publikuar nnga La Stampa dhe vetë Nënsekretari i Shtetit për Sigurinë Kombëtare, Franko Gabrielli informon se një informacion i tillë nuk ka dal nga zyrat e inteligjencës së shërbimeve sekrete italiane.

Bota Itali Putin rrëzimi i qeverisë