Kronike 2 Shtator 2022, 15:16

Tronditet Shkodra, ekzekutohet me armë zjarri babai i Bajram Çekorjas

Shkruar nga Pamfleti

Një 57-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri sot në Shkodër.

Atentati ka ndodhur në lagjen “Guerrile” dhe viktima është Ismet Çekorja. Sipas informacioneve, persona të paidentifikuar i janë afruar duke e qëlluar me pistoletë. Ai fillimisht mbeti i plagosur, por më pas ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.

Në lagjen “Guerrile”, në Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi I. Ç., 57 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, Shkodër, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën në vendngjarje, për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet, me pika kontrolli në zonën përreth, me qëllim kapjen e autorit/ëve”, njoftoi policia.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Ismet Çekorja është babai i Bajram Çekorjas, i akuzuar për atentatin ndaj shtetasit Alban Bruçi.

Bajram Çekorja është një emër i njohur për policinë, pasi është arrestuar disa herë nga forcat e rendit. Së fundmi ai u shpall në kërkim si i përfshirë në atentatin ndaj Alban Bruçit, i shënuar në lagjen “Partizani”. Ky i fundit u përball me breshëri armësh më 25 gusht, por arriti të mbijetojë.

Nga ana tjetër vetë Ismet Çekorja 3 ditë më parë doli në një deklaratë për mediat, ku akuzonte policinë se i kishte rënë në qafë djalit të tij, pasi shprehej se ai s’kishte lidhje me atentatin.

Policia ka ardhur në banesën tonë pas vrasjes së Arjan Ferracakut njëkohë që viktima ishte nipi im po ashtu kur u vra edhe Fatos Ferracaku prapë më kanë thirrur mua dhe djalin. Pastaj janë vrarë vëllezërit Bilali dhe sërish policia në banesën time. U plagos Admir Bajri, prapë në banesën time njëkohë që familja jonë e ka pasur një lloj njohje me familjen e tyre. Po ashtu u qëllua shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe sërish në banesën time kur në fakt autorët dolën krejt persona të tjerë. Rasti i fundit është me Alban Bruçin, djalin e Lad Bruçit, të cilin unë e kam shumë mik dhe nuk ka asnjë shans që djali im të qëllojë djalin e tij kur ne kemi shumë miqësi aq më tepër që Bajrami, djali im është i monitoruar me kamera”, u shpreh ai për mediat.

Dyshimet janë se atentati ka ndodhur për hakmarrje dhe po hetohet nëse ka lidhje me sulmin ndaj Alban Bruçit.

Si ndodhi atentati ndaj Alban Bruçit?

Në 25 gusht, rreth orën 21:45, Alban Bruçi po lëvizte me makinën e tij tip ‘Audi A3’, me targa ‘AB 199 BA, kur u qëllua disa herë me pistoletë. Fatmirësisht plumbat nuk e kanë kapur, duke i shpëtuar atentatit. Si autor të kësaj ngjarjeje, janë shpallur në kërkim, Bajram Çekorja dhe Tornato Fusha, djali i biznesmenit dhe ish-presidentit të Vllaznisë Valter Fushës. Nga sa është raportuar, ka qenë sherri i ndodhur 2 vite më parë mes Fushës dhe Bruçi shkak i tentativës së atentatit të 25 gushti, teksa nuk dihet roli që ka pasur Çekorja.

Kronike Plagosje policia Shkodër