Kosova20 Tetor 2022, 18:41

Asociacioni i komunave serbe dhe tuneli pa dalje i Albin Kurtit!

Shkruar nga Pamfleti
Asociacioni i komunave serbe dhe tuneli pa dalje i Albin Kurtit!

Në thelb ky draft nënkupton një “shtet brenda shtetit”. Skemë problematike për një shtet që s’është i konsoliduar. Por një marrëveshje po kërkohet, madje Escobar tha se ajo është çështje javësh.

Albin Kurti po përballet me një kërkesë ndërkombëtare: themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Të mërkurën, Gabriel Escobar, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, deklaroi se “ka shumë modele të Asociacionit”.

Një model të Asociacionit e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese, dhjetorin e vitit 2015. Por çështja vijon.

Albin Kurti si opozitar kishte protestuar kundër Asociacionit, madje kishte hedhur edhe gaz lotsjellës në Kuvend. Ishte burgosur dhe e kishte quajtur këtë projekt “zajednica”.

Por që kur ka vendosur “kravatën borgjeze“, Kurti nuk e përmend termin ”zajednicë” si dikur, por asociacion.

Pra nëse ka ndërruar terminologjia, a ka ndryshuar edhe qëndrimi i Kurtit për Asociacionin? S’dihet, por lëvizje të reja ka.

Sot në media është publikuar një draft që pretendohet të jetë hartuar nga ekspertë gjermanë të lidhur me Qeverinë e Federatës Gjermane. “Entitet legal/ligjor”, është termi që s’po tejkalohet, duke shkaktuar dyshime se Asociacioni do të ketë përmbajtje ekzekutive.

Në thelb ky draft nënkupton një “shtet brenda shtetit”. Skemë problematike për një shtet që s’është i konsoliduar. Por një marrëveshje po kërkohet, madje Escobar tha se ajo është çështje javësh.

Pra javë të nxehta, dorëheqje e Kurtit apo nënshkrim. Të dytat janë problem i madh.

Nëse ka dorëheqje, atëherë Kurti në zgjedhje do të ketë probleme. Sondazhet nuk e favorizojnë si dikur. Pos kësaj, vendi po përballet me inflacion e gjendje të rënduar ekonomike.

Nga ana tjetër, Kurti tashmë e ka shpallur opozitën si “shkatërruesit e shtetit”, si do ta realizojë koalicionin eventual kur kaq pak kohë ka kaluar?

E nëse Kurti e nënshkruan Asociacionin atëherë do të jetë tension i madh për të: djegie e kartës kryesore. Dhe, Kurti do ta pranonte se është dorëzuar para presionit ndërkombëtar, ndonëse dikur thoshte se “dëshiron ta di çfarë është ai presion”.

Tani ndoshta është duke e parë– kërkesa të hapura për kompromis, por ndaj kujt? Ndaj një shteti që s’i ka vendosur sanksione Rusisë. Kosovën, Serbia e sheh si ëmbëlsirë. A do t’i mundësohet vallë kafshimi i saj? Kurti do të vendosë ta lejojë kafshimin e Kosovës nga Serbia apo kafshimin e vetës nga qendrat e votimit. /Pamfleti

Prishtine asocacioni Kurti tuneli

Kosova