
Kina i është kundërpërgjigjur akuzave të SHBA-ve për “balonën e përgjimit”. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning, tha se Kina është një komb i përgjegjshëm dhe nuk shkel hapësirën ajrore të vendeve të tjera.
Autoritetet kineze janë në dijeni të raporteve për një balon përgjimi që është zbuluar mbi territorin amerikan dhe aktualisht po punojnë për t’i verifikuar ato, tha Mao gjatë një konferencë ditën e sotme.
“Ne nuk kemi ndërmend të shkelim sovranitetin dhe hapësirën ajrore të vendeve të tjera”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning në një konferencë të rregullt për shtyp të premten në Pekin. “Ne jemi duke mbledhur dhe verifikuar faktet. Shpresojmë që palët përkatëse ta trajtojnë çështjen me gjakftohtësi”, tha ajo.
Sipas zyrtares kineze, përpara se të bëhet e qartë se çfarë ka ndodhur, çdo spekulim i qëllimshëm apo hipotezë nuk do të ndihmojë në trajtimin e çështjes.
Zbulimi i një balone spiune kineze që qëndron në lartësi të madhe në SHBA-të perëndimore po kërcënon të errësojë vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Pekin, e parë gjerësisht si një udhëtim që synon normalizimin e marrëdhënieve.
Pekini ka kërkuar të krijojë një sfond konstruktiv të diskutimeve me një sërë komentesh në publikimin e medias shtetërore People’s Daily, duke u bërë thirrje dy kombeve të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Mao anashkaloi pyetjet nëse udhëtimi i Blinken ishte ende i programuar, duke thënë se ajo nuk kishte informacion për të dhënë.
Balona kineze, e parë për herë të parë në fillim të kësaj jave, po qarkullonte mbi Montana, shtëpia e vendeve të ndjeshme, duke përfshirë krahun e raketave 341 të Forcave Ajrore dhe raketat balistike ndërkontinentale Minuteman III.