Bota23 Janar 2023, 21:31

U arrestua për lidhje me rusët, “CNN”: Ish-zyrtari i FBI mori para nga një spiun shqiptar, bisedoi me Ramën për çështjet e naftës

Shkruar nga Pamfleti
U arrestua për lidhje me rusët, “CNN”: Ish-zyrtari i FBI

Policia amerikane ka vënë në pranga sot një ish-agjent të FBI, pasi akuzohet për ryshfet dhe lidhje me rusët.

Charles McGonigal, një veteran i FBI-së, u arrestua të shtunën në Aeroportin Ndërkombëtar “John F. Kennedy”, teksa kthehej nga një udhëtim. Ai përballet me akuza në Nju Jork për shkelje të sanksioneve të SHBA-së, komplot dhe  pastrim parash në bashkëpunimin me Oleg Deripaska, një oligark rus, i cili u sanksionua për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016.

Prokurorët pretendojnë se McGonigal dhe Sergey Shestakov, një ish-diplomat rus, i cili së fundmi ka punuar si përkthyes në gjykatat federale të Nju Jorkut, në Manhattan dhe Brooklyn, kanë shkelur sanksionet e SHBA-së duke hetuar një biznesmen tjetër rus, rival të Deripaskës. Po ashtu kanë lobuar që ta nxjerrin këtë të fundit nga lista e zezë.

Por “CNN” nxjerr në skenë edhe Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama. Sipas saj, McGonigal akuzohet për fshehjen e lidhjeve që kishte me një person që dekada më parë ka punuar për një agjenci të inteligjencës shqiptare. Prej tij ai ka marrë  225,000 dollarë pagesa.

Prokurorët pretendojnë se McGonigal, si një punonjës i FBI-së, duhej të zbulonte udhëtimet jashtë shtetit dhe kontaktet me shtetas të huaj, gjë që ai nuk e bënte. Gjatë disa udhëtimeve jashtë shtetit në Shqipëri, Austri dhe Gjermani, prokurorët pretendojnë se McGonigal nuk tregoi formatin e takimit me kryeministrin e Shqipërisë, një politikan kosovar dhe disa funksionarë të tjerë.

Prokurorët shprehen se në një takim, McGonigal i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë që të jetë “i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave për kompanitë ruse guackë, mbi shpimet për kërkimin e  naftës në Shqipëri”. Por, ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare që i pagoi 225 mijë dollarë, kishte interes financiar në vendimin e qeverisë për kontratat mbi shpimet e naftës.

Një nga pagesat e para, 80,000 dollarë, dyshohet se iu dha McGonigal-it ndërsa ai ishte ulur në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në New York City.

Nën drejtimin e McGonigal, FBI hapi një hetim mbi përpjekjet lobuese të huaja të një shtetasi amerikan bazuar në informacionin që ai mori nga ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare, sipas aktakuzës. McGonigal nuk e zbuloi kurrë marrëdhënien e tij financiare.

Akuzat jashtë Nju Jorkut pretendojnë se McGonigal u takua për herë të parë me përkthyesin rus, Shestakov, në vitin 2018 ndërsa ishte në FBI nëpërmjet një oficeri të inteligjencës ruse, i njohur si diplomat më parë për Ministrinë e Punëve të Jashtme për Bashkimin Sovjetik dhe Federatën Ruse.

Pasi u tërhoq nga FBI në vitin 2018, McGonigal u emërua konsulent pranë një firme ligjore në Nju Jork, që punonte mbi sanksionet e Deripaskës, thuhet në dosjen gjyqësore. McGonigal udhëtoi në Londër dhe Vjenë rreth vitit 2019 për t’u takuar me Deripaska dhe të tjerë për të “fshirë” oligarkun rus nga lista e sanksioneve të SHBA. /CNN

Bota Arrestime FBI Rama