Aktualitet 5 Shkurt 2023, 12:12

U arrestua për pastrim parash dhe fshehje pasurie, Alda Klosi shtrohet në spital

Shkruar nga Pamfleti
U arrestua për pastrim parash dhe fshehje pasurie, Alda Klosi shtrohet

Ish-zyrtarja Alda Klosi që u arrestua për pastrim parash dhe fshehje pasurie është shtruar në spital.

Klosi mësohet se ka shfaqur probleme kardiake.

Ish-drejtoresha e koncesioneve Alda Klosi, në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur ministër ishte Arben Ahmetaj, është arrestuar mbrëmjen e së premtes pas një dëshmie të gjatë të dhënë në polici të ish-pastrueses së saj Rozeta Dobi.

Raportohet se Dobi është marrë në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.

“Pashë shumë para. Kam pastruar 8 shtëpi. M’i la t’i fshihja. Shpesh i shikoja nëpër kuti” – citohet të ketë rrëfyer pastruesja Rozeta Dobi.  Pastruesja akuzohet për vjedhjen e të paktën 120 mijë eurove.

Ishte vetë Klosi që nisi historinë e këtij skandali me denoncimin që bëri në polici për vjedhjen e banesës së saj të marrë me qira tek “Rruga e Kosovarëve” më 15 dhjetor. Ajo deklaroi se i ishin grabitur 120 mijë euro dhe sende me vlerë.

E dyshuara kryesore për këtë ngjarje ishte pastruesja e saj Rozeta Dobi e cila u vu në pranga pas vetëm 3 javësh së bashku me djalin e saj Havier Dobin. Nga përgjimi i dialogut mes nënë e bir në dhomën e ndalimit policia zbuloi edhe 400 mijë euro të tjera në tubin e aspiratorit të banesës së tyre.

Para uniformave blu Rozeta Dobi ka dëshmuar më herët se vjedhjen e ka kryer në shenjë hakmarrje ndaj Alda Klosit pasi e urrente për mënyrën si ajo e trajtonte. Ende enigmë ka mbetur burimi i këtyre shumave të mëdha të parave. Edhe për shumën e 400 mijë eurove nuk ka ende një pronar. 

Prokuroria e Tiranës është duke hetuar mbi ekzistencën e këtyre parave, 400 mijë euro të gjetura në tubin e ajrimit në banesën e sanitares dhe burimin kriminal të tyre, që deri në këtë fazë të hetimit nuk është përcaktuar ende.

Vetë Alda Klosi, ka mohuar akuzat e ngritur nga prokuroria.

Kryesore #ish-zyrtarja Alda Klosi shtrohet në spital