Aktualitet11 Gusht 2022, 12:24

U bllokuan skafet, por nuk u çliruan 700 plazhet publike të pushtuara nga “të fortët”

Shkruar nga Pamfleti
U bllokuan skafet, por nuk u çliruan 700 plazhet publike të

U bllokuan skafet, por nuk u çliruan 700 plazhet publike të pushtuara nga “të fortët”

Ndoshta, kryeministri do t’i jap urdhër policisë, pasi të ndodhë ndonjë vrasje edhe për plazhet/ Zaptuesit lejohen t’i përdorin pa kontrata qiraje, fakt të çon në konkluzionin logjik, se nuk bëjnë pagesa në arkën e shtetit, diku paguajnë çeqet e ryshfetit, ose plazhet i kanë biznes të përbashkët ilegal me shefat e bashkive, të policisë, me ministren Mirela Kumbaro, nëpërmjet sekserit të saj Ledion  Lako,  Drejtor i Agjencisë së Bregdetit

Kryeministri Rama, që e bën plazhin në zonë bregdetare “extra”, të rrethuar me truproje garde e polici “gardh ku nuk futet as miza”, urdhëroi të bllokohen gomonet, skafet e mjetet ujore “Jet-Ski”, urdhër që është zbatuar plotësisht brenda ditës kur u vra 7-vjeçarja.

Por prej 2 muajsh, kryeministrit nuk i është zbatuar urdhri për çlirimin e plazheve publike, të zaptuar me forcë nga “të fortët”, oligarkët e pangopur, biznesmenët familjarë të pushtetarëve e kushdo që ka 1 kobure në dorë, ose i ka dhënë ryshfet kryetarit të bashkisë e shefit të policisë.

Përditë, dëgjojmë denoncime për mos- lejim qytetarësh në plazhet e caktuara si hapësira publike dhe ndodhin konflikte me armë mes “të fortësh” e grushte me pushuesit.

Sepse pushuesit nuk lejohen të vendosin çadrat dhe shezllonët e tyre, por akoma më turp është fakti, që ka përzënie turistësh të huaj nga bregu i detit, ngaqë nuk pranojnë të përdorin shezllonët e vendosur prej zaptuesve të plazheve publike.

Policia ka publikuar në media, disa kronika show me sekuestrim çadrash e shezllonësh, por sipas informacioneve që ka “Pamfleti”, ato u janë rikthyer pas disa orësh dhe hapësirat e plazheve, vazhdojnë përsëri të “pushtuara” prej tyre.

Kryeministri e di, që urdhri i tij nuk po zbatohet, madje ka dhe një raport policor me sipërfaqet e zaptuara, emrat, aktivitetin dhe lidhjet politike të atyre që i kanë zaptuar plazhet e caktuar për përdorim publik me VKM, nr..424, datë 27.05.2020.

Po kështu, kryeministri e di, sepse e ka firmosur vetë vendimin e qeverisë, që në krejt vijën bregdetare janë 118 zona plazhi, të ndara në 2480 parcela rëre. Nga këto, 1300 parcela me sipërfaqe nga 1000- 2000 m2 të quajtura “Stacione plazhi”, u caktuan për bizneset private, ndërsa 1180 parcela janë lënë për plazhe të lira.

Mirëpo sipas raportit të përbashkët të Policisë e 11 Bashkive bregdetare që i është dërguar kryeministrit Rama, rezulton se “të fortët” dhe miqtë e pushtetarëve, kanë zaptuar 2200 parcela, duke vendosur çadra, shezllonë, roje e tabela “Plazh privat”.

Pra, qeveria e ka lejuar vetë, që qytetarëve t’u pushtohen 700 parcela, duke u lënë vetëm 480 “copa” plazhi të degraduara nga 500-600 m2, kur janë 1180 të përcaktuar si “plazhe popullore”.

Po sipas të dhënave zyrtare, rezulton se pushtuesit e 700 plazheve popullore, nuk kanë kontratë qiraje me bashkitë e as leje shfrytëzimi nga Agjencia e Bregdetit dhe nga Ministria e Turizmit fakt ky, që të çon në konkluzionin logjik, se gjersa nuk bëjnë pagesa në arkën e shtetit, diku paguajnë çeqet e ryshfetit. Ose plazhet e zaptuara, i kanë biznes të përbashkët ilegal me shefat e bashkive, të policisë apo me ministren Mirela Kumbaro, nëpërmjet sekserit të saj Ledion  Lako,  Drejtor i Agjencisë së Bregdetit.

Një pyetje: – Pse nuk zbatohet urdhri i kryeministrit Rama dhe përse vetë kryeministri, nuk kërkon llogari për mos- çlirimin e plazheve publike, siç u zbatua urdhri për bllokimin e skafeve, brenda 12 orësh pas vrasjes së 7-vjeçares?

Mos ndoshta, kryeministri Rama, do ta urdhërojë policinë për çlirimin e rërës, pasi të ndodhë ndonjë vrasje dhe për hapësirat publike në bregdet!/Pamfleti

Kryesore #nuk u çliruan 700 plazhet publike të pushtuara nga “të fortët” #U bllokuan skafet