
U dhunua barbarisht në Tiranë, ndërron jetë në spital 22-vjeçarja nga Kenia; prej muajsh ndodhej në koma
Ndërron jetë në Kenia 22-vjeçarja Joy Ayoko që u dhunua barbarisht në Tiranë. E reja la Shqipërinë në fund të janarit për t’u kthyer në vendin e saj, Kenia.
Vajza ndodhej në spitalin e Traumës prej muajit gusht, kur u dhunua barbarisht dhe pësoi dëmtime të mëdha që e lanë në koma.
Nëna e saj, Ruth Abongo, ka rrëfyer se “Joy ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin Kenniata në Kenia”.
Që prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia ndodhej e shtruar në spital pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli”, në kryeqytet. Ajo ishte në gjendje kritike dhe kishte nevojë për kujdes të specializuar neurologjik, i cili nuk ishte i disponueshëm në Shqipëri.
Por Joy nuk ia ka dalë të rikthehet sërish në jetë dhe ka ndërruar jetë, për shkak të dëmtimeve të rënda.
E ndjera punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh, së bashku me disa shoqe të saj, gjithashtu nga Kenia. Ngjarja e rëndë, ku dyshohet se 22 vjeçarja ishte hedhur nga ballkoni i dhomës së saj të hotelit, është raportuar vetëm së fundmi nga ana e policisë nëpërmjet një deklarate ku thuhet se denoncimi ishte bërë nga një prej shoqeve të të së ndjerës.