Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vënë në zbatim masën e sigurisë “arrest me burg” për Rexhep Ipek
Gjykata e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur zbatimin e masës së sigurimit arrest në burg per të ekstraduarin nga Bullgaria, shtetasin turko-shqiptar Rexhep Ipek.
Ipek është ekstraduar nga Bullgaria më 21 Janar të ketij viti, pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar në Shtator të 2019, së bashku me 31 persona të tjerë, në kuadër të operacionit Limit, i cili goditi disa grupe të trafikut të drogërave. Ky shtetas ishte personi i fundit që ishte pa u arrestuar dhe tani më pritet gjykimi i tyre ne themel.
I kontaktuar nga media, mbrojtësit e Rexhep Ipek, Avokat Arbër Hoxha dhe Avokat Dritan Metani u shprehën se: “Gjykata duhet të mbante parasysh jo vetëm rrezikshmërinë e faktit, por edhe atë të autorit, sidomos për fazën proceduriale në të cilën ndodhet procesi dhe ndaj vendimit do ushtrojmë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit”.
Operacioni Limit
49-vjeçari Ipek ishte shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal i goditur në vitin 2019 për trafikimin e kokainës.
3 vite hetime çuan në shkatërrimin e 4 grupeve kriminale të trafikut të kokainës dhe kanabisit që përpunohej në vendin tonë dhe trafikohej në Greqi, Turqi dhe vende të BE-së. Hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Shtetit dhe autoritetet greke, u finalizua me operacionin e fundit policor “Limit” me përfshirjen e rreth 300 efektivëve në disa qytete të Shqipërisë (Tiranë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë), ku ditën e sotme u arrestuan 17 persona, ndërsa 6 të tjerë janë aktualisht në burg, të arrestuar më herët, ndërkohë 7 janë në kërkim.